Shpresa po lufton për jetë

Një plumb qorr e ka goditur gjatë festës së mbrëmshme, Shpresa Kastratin nga Peja, e cila tani ndodhet në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Plumbi qorr i ka shkaktuar lëndime të rënda në një pjesë të kokës, gjegjësisht në tru.

Lajme

01/01/2014 10:37

Gjuajtjet e pakontrolluara me armë zjarri gjatë natës së mbrëmshme kanë prishur festën në familjen Kastrati në Pejë.

Një plumb qorr ka goditur vajzën e tyre, Shpresën, e cila ndodhet në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo derisa po qëndronte në ballkonin e shtëpisë së saj, pas orës 24:00. e ka kapur një plumb qorr i cili i ka shkaktuar asaj plagë të rëndë në pjesën e kokës, gjegjësisht në tru.

Shpresa është sjell nga Peja në gjendje të rëndë në Qendrën Emergjente në Prishtinë ku mjekët po bëjnë përpjekje për t’ia shpëtuar jetën.

Por, familjarët e Shpresa Kastrati janë shprehur të pakënaqur me mjekët e kësaj qendre, të cilët i kanë akuzuar për neglizhencë.

Familja Kastrati ka thënë për Kosovapress se janë jashtëzakonisht të pakënaqur me trajtimin mjekësore që i është bërë familjares së tyre.

Motra e saj, Qëndresa Kastrati, thotë se askush prej mjekëve të Klinikës së Neurokirurgjisë nuk është paraqitur në mënyrë që ajo të futet në operim.

“Motra është e shtrirë këtu, është sjell prej Peje, ka plumb në kokë, është plagosur shumë rëndë, ajo ka ardhur një orë më herët se na, është në Prishtinë, as nuk ka neurokirurg…”.

“… thonë se nuk ka ardhur, ne e kërkuam kirurgun, por askush nuk po na tregon se ku është, ai mjeki është Shefki Dragusha”.

Akuzat e familjarëve i ka mohuar mjeku kujdestar në këtë qendër, Ejup Gorovci, i cili ka thënë se ai dhe ekipi i tij kanë bërë gjithçka që është e mundur për këtë rast.

Ai ka thënë se pacientja në fjalë është sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Rasti më i rëndë është pacienti i gjinisë femërore, i vitit 1988, e lënduar me armë zjarri, ku lëndimet janë në kokë dhe lezionet janë në qendrat vitale të trurit në pjesët më të ndjeshme të trurit dhe perpsepktiva e saj është shumë e keqe, lëndimet janë shumë serioze , përkundrazi edhe pse familjarët janë ankuar ne kemi bërë atë çfarë është dashur të bëhet CT është bërë pacientja është në ventilimin mekanik dhe ne po luftojmë dhe ne po luftojmë me jetë dhe se lëndimet e saja janë shumë serioze ne kemi bërë atë që kemi pasur mundësi”. 

Sipas tij, mjekët në Pejë nuk kanë kryer punën e tyre që është dashur ta bëjnë por që ata pacienten e kanë dërguar menjëherë në Qendrën Emergjente.

Gorovci ka thënë se së paku asaj i është dashur t`i bëhen disa fotografime në kokë.

 

/Kosovapress, lajmi.net/