Shpëtohet anija me 500 refugjatë lufte nga Siria

Rreth 500 emigrantë që vinin nga Siria me një anije tregtare janë shpëtuar në brigjet italiane nga ana e Marinës italiane.

Bota

30/09/2014 23:29

Emigrantët, shumica gra dhe fëmijë, u shpëtuan rreth 90 km në juglindje të qytetit jugor Crotone, Kalabri. Ata janë transferuar më pas në anijen e Rojës Bregdetare, për të kontrolluar gjendjen e tyre shëndetësore.

Marina italiane patrullon ujërat midis Afrikës dhe Sicilisë që nga tetori i vitit 2013, kur 366 persona humbën jetën pasi anija e tyre u fundos rreth 1 milje nga ishulli italian  Lampeduza. Kjo nxiti edhe nisjen e një operacioni të kërkim-shpëtimit me emrin “Mare nostrum”, i cili i kushton Italisë 9 milionë euro në muaj.

Ndërkaq, kjo e fundit iu ka bërë thirrje herë pas here agjencive të kontrollit kufitar evropian për të marrë përsipër operacionin, si dhe shteteve të tjera për të ndarë këtë barrë, raporton gazeta Shqiptarja.com.