Shpëtimi i Vdekjes

- Filmi “I biri i Saulit” i Laszlo Nemes, fituesit të sivjetmë të Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. - “I biri i Saulit” është film i rëndë për t’u shikuar. Ka tablo të punuara me mjeshtëri, me dhjetëra e qindra statistë, me një dinamikë që të lë pa frymë, në përcjellje të një rrëfimi që nuk ofron kurrfarë prehje, asfarë ngushëllimi, kur filmi merr fund.

Opinion

11/04/2016 12:33

Laszlo Nemes, një regjisor 38 vjeçar hungarez, arriti me filmin e tij të parë “I biri i Saulit” (në hungarisht – “Saul fia”), të fitojë një mori çmimesh kinematografike, përfshirë këtu edhe Oscar-in për filmin më të mirë të huaj në vitin 2015, si dhe “Palmën e Artë” në Festivalin e Cannes.

“I biri i Saulit” është një vepër që i qaset qëllimisht ndryshe tmerrit të Auschwitz-it.

Këtu të bie në mend ajo thënia e njohur e Coppola-s për filmin e tij “Apocalypse Now”. Regjisori i madh amerikan pati thënë atëbotë: “Ky nuk është film për luftën në Vietnam. Kjo është Lufta në Vietnam”.
“I biri i Saulit” del të jetë Auschwitzi vetë. Shikuesi shokohet dhe shtanget prej çastit të parë të filmit, pëkundër të gjitha informatave që i ka për këtë kamp të përqëndrimit. Gjithçka zhvillohet, për ne, si shikues, në një distancë shumë të afërt. Na krijohet ajo përshtypja e filmave 3D, por këtu në 1D-në e vetme (dimensionin e tmerrit), ku neve na duket thuajse jemi brenda kampit, duke u bërë dëshmitarë të krimeve, vrasjeve, të një makinerie të zhdukjes.
Nuk ka distancë mes nesh, në kohën e sotme, dhe tmerrit që ndodh në tetorin e vitit 1944 në këtë kamp. Ne e jetojmë gjithë filmin brenda kampit, në fqinjësi të vazhdueshme të këtij ferri të fabrikuar. Zaten, kampet e përqendrimit kanë qenë fabrika të ferrit. Ato ishin prodhim dhe ndëshkim njerëzor, i një dukurie (ferrit) të parathënë të jetë vepër dhe gjykim hyjnor për mëkatarët e pandreqshëm.
Gjithçka tek “I biri i Saulit” sillet rreth një hebreu nga Hungaria, që quhet Saul Auslander (Auslander në gjermanisht ka domethënien e të huajit). Ai është pjesëtar i njësitit Sonderkommando. Këtë e përbëjnë hebrenjtë më të fuqishëm fizikisht, të cilët janë të angazhuar prej nazistëve për t’i kryer të gjitha punët rreth zhdukjes së hebrenjve të tjerë: Prej ardhjes së tyre në kamp, në trena ose kamionë, zhveshjes së tyre, dërgimit në dhomat e gazit, bartjes së kufomave në krematoriume, mbledhjes së hirit të mbetur, hedhjes së hirit të lumë.
Hebrenjtë e Sonderkommando janë të shënjuar në shpinë me një X, me ngjyrë të kuqe, për tu dalluar prej hebrenjëve të tjerë.
Këta janë dyfish viktima dhe dyfish kriminelë.
Për nazistët, janë kriminelë, sepse janë hebrenj. Për hebrenjtë, janë të tillë, sepse u ndihmojnë nazistëve në vrasjen e tyre.
Janë viktima dy herë: Një herë, sepse vdesin moralisht, duke marrë pjesë në krim, pastaj sepse edhe vetë janë të paracaktuar të zhduken, në dhomat e gazit.
Saul është një nëpunës i vdekjes në Auschwitz, i dënuar edhe vetë me vdekje.
Të gjithë filmin, Nemes e rrëfen përmes fytyrës së vrazhdë të Saul-it, të cilin e luan Geza Rohrig, që nuk është aktor profesionist. Ne shohim gjithçka çka ndodhë në kamp me sytë e Saul-it, ne e ndjekim pas atë në çdo veprim të tij, ne marrim frymë së bashku me të. Kështu, ne me të zbrazim xhepat e rrobave të viktimave, në kërkim të arit, ne me të u afrohemi dyerve të dhomës së gazit, për t’i dëgjuar klithmat, britmat dhe lutjet e atyre që vriten aty (Nemes nuk na e tregon dhomën e gazit nga brenda, por përmes zërave të atyre që mbyten aty), ne me Saul-in bartim kufomat për në krematorium dhe me te hedhim hirin në lumë.
Përmes Saul-it, ne kuptojmë gjithë organizimin e kësaj makinerie vrastare.
Kallëzimi i Nemes-it merr kthesën kur, gjatë pastrimit të dhomës së gazit pas një ndërrimi ekzekutimi të qindra vetave, Saul, me disa pjesëtarë të tjerë të Sonderkommando, kupton që një djalosh merr ende frymë, ose që i ka mbijetuar vrasjes me Zyklon B (helmit që është përdorë për vrasje). Një herë e shtrinë djalin e ri mbi një tavolinë. Nuk vonon dhe një oficer nazist e ngulfat atë. I njëjti, pastaj, urdhëron autopsinë e trupit të djalit, për të marrë vesh pse nuk vdiq në vend. Duhet përmirësuar gabimin. Këtu nuk mund të ketë gabim dhe falje.
Saul-it, ky djali, i duket se është i biri i tij. Asnjëherë, gjatë rrëfimit, nuk merret vesh a është në të vërtetë fëmija i tij apo jo. Ai provon, aty në sallën e zhveshjes, të gjejë farë dokumenti që do ta vërtetojë që ky njëmend është i biri i tij. Nuk ia del. Por, ky çast i ballafaqimit me këtë djalë të mbytur dy herë, e ndryshon atë, rrënjësisht. Ai i kthehet jetës. Asaj të vërtetës, e cila nuk ka të drejtë të hyrjes në kamp të përqendrimit.
Jeta e vërtetë e njeriut, midis tjerash, ka domethënien edhe të së drejtës për varrim, si trup, me një ritual fetar, në dhe.
Prej dheut vijmë, në dhe do të kthehemi. Apo jo.
Këtë të drejtë nuk e kanë viktimat e Auschwitz-it. Ata nuk kanë kurfarë të drejte. Të gjitha i kanë humbur me ditën e lindjes. Certikata e lindjes ka qenë njëkohësisht edhe Vendimi për vrasjen e tyre, pa pasë varrim dhe varr.  
Këtë fat mundohet ta ndryshojë Saul, për këtë djalë, në rrethanat e sundimit të plotë të vdekjes, në të gjitha mënyrat e mundshme: Me kërcënime, me ryshfet (arin e marrë nga viktimat), me lutje, duke rrezikuar vrasjen e  vet disa herë.
Saul është pjesë e makinerisë së prodhimit masiv të vdekjes. E poshtërimit të saj, në fakt. E shndërrimit të vdekjes në një produkt të zakonshëm. E krijimit të banalitetit të së keqes, siç do të thoshte Hannah Arendt. Këta që vriten këtu, thuajse kurrë nuk kanë ekzistuar. Aty nuk ka njeri, por vetëm trup. Aty nuk ka emra, po vetëm numra. Aty nuk ka identitet, por vetëm zhdukje.
Aty edhe vdekjes së njeriut i është vjedhur identiteti.
Saul nuk ka mundur ta shpëtojë dot këtë djalë që i duket si i biri i tij. Ai e di këtë. Nuk ka mundur ta mbajë në jetë. Ama, Saul tash provon t’ia shpëtojë vdekjen këtij djali. T’ia shpëtojë shpirtin e tij. Ta shmang fatin e tij për t’u bërë shkrumb e hi, në masë, me të gjithë të tjerët. Dëshiron ta lidhë këtë djalë me një vdekje të mirëfilltë, të denjë për njeriun. Me një varrim të trupit të tij, të pastruar e të larë, me rite hebraike, me kaddishin e kënduar nga një Rabi. Ai mundohet ta shpëtojë vdekjen e njeriut nga banaliteti i vdekjes së kësisojtë në kamp.
Ai përpiqet të gjejë një grimë kuptim në gjithë këtë çmendi.
Një i vdekur që i përngjan të birit të tij, e bën të gjallë, sërish. Si njeri.
Saul merr kufomën e djalit nga dhoma e autopisës. E ruan atë gjithë kohës në shtratin e vet. Mendon se e gjen një Rabi të mirëfilltë, pasi një tjetër vritet nga nazistët me fajin e tij, dhe pas kryengritjes së njësitit të tij (e cila njëmend ka ndodhur në Auschwitz, në vjshtën e vitit 1944), me kufomën e të birit mbi shpinë largohet nga kampi. Nis që ta çelë varrin afër një lumi, në një pyll, dhe aty kupton që Rabi është një mashtrues i rëndomtë, sepse nuk di gjë nga lutjet hebreike. Hyn, pastaj, me djalin e vdekur në lumë, gati fundoset vetë, teksa përpiqet ta shpëtojë kufomën e djalit, i cili humb në thellësinë e lumit.
Saul me të tjerët, mbërrin në një shtëpizë druri në pyll. Ata çlodhen pak. Nisin të flasin se si do t’i bashkohen Armatës polake të rezistencës, e cila duhet të jetë diku afër. Se si do të armatosen dhe do të luftojnë. Afër derës së hapur të shtëpizës, vjen një djalë. Teksa e shikon në sy, Saul buzëqesh. Për herë të parë dhe të fundit. Kjo është buzëqeshja e vetme në këtë rrëfim, në këtë film.
Saulit i duket se ky është shpirti i djalit, të cilin e llogariste si të birin e vet.
Djali nis pastaj të vrapojë. Kuptojmë, ne, shikuesit, që ky është një djalë i fshatit që ua tregon nazistëve vendndodhjen e të ikurve të kampit.
E përcjellim teksa ky largohet në pyll, derisa dëgjojmë krismat e ekzekutimit të Saulit me shokë. Nuk jemi dëshmitarë të vrasjes së tyre. Nuk i shohim kur vdesin. Por e dimë që të gjithë vriten. Edhe Sauli.
Përfundon rrëfimi.
Ka qenë vështirë, shumë vështirë, të bëhet ky film. Regjisori Laszlo Nemes dhe aktori kryesor Geza Rohrig kanë në trungun familjar të vrarë dhe të mbijetuar nga Auschwitz-i.
“I biri i Saulit” është film i rëndë për t’u shikuar. Ka tablo të punuara me mjeshtëri, me dhjetëra e qindra statistë, me një dinamikë që të lë pa frymë, në përcjellje të një rrëfimi që nuk ofron kurrfarë prehje, asfarë ngushëllimi, asnjë shpresë, kur filmi merr fund.
Ky rrëfim të lë pa fjalë. Pa shpjegim. Me heshtjen që të ngulfatë dhe nuk të qetëson.
Na kujtohet, shumëkujt, ajo fjalia e njohur e Wittgenstein-it: Për gjërat për të cilat nuk mund të flasim, duhet të heshtim.
Ose, siç bëri Laszlo Nemes, mund të bëhet një kallëzim i këtillë filmik.

(Ese – Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)