Shpëtimi i tragetit në zjarr, në bord edhe 22 shqiptarë

Udhëtarët e tragetit italian, të përfshirë nga flakët, po përjetojnë tmerr me sy, ndërkohë që mundohen të shpëtojnë të gjallë nga kjo tragjedi. Mes 478 personave, që ndodheshin në bord, mësohet se janë edhe 22 shtetas shqiptarë. Prej ngjarjes së ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, 170 udhëtarë janë mundur të shpëtonin prej saj, kurse aksioni për shpëtimin e të tjerëve po vijon.

Lajme

28/12/2014 09:40

(E plotësuar)

Anijet e shpëtimit kanë hasur vështirësi të mëdha për t’iu afruar tragetit që po digjet, për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të detit. Ende është e paqartë nëse ka viktima apo nëse ndonjë udhëtar është hedhur në ujë.

Ministri i Tregtisë Detare, Miltiadis Varvitsiotis, tha se kombinimi i motit tepër të keq me erëra deri në 88 km/h dhe zjarrit e ka bërë operacionin e shpëtimit shumë të komplikuar.

“Po bëjmë gjithçka mundemi për t’i shpëtuar pasagjerët në bord dhe askush nuk do të mbetet i pa ndihmuar në këtë situatë të vështirë”, tha ai për reporterët. “Ky është një nga operacionet më të vështira që kemi pasur ndonjëherë”.

Varvitsiotis tha se ishin 478 pasagjerë në bord, së bashku me ekuipazhin, më shumë nga sa ishte raportuar fillimisht (466). Sipas medieve greke bëhet e ditur se kombësitë e udhëtarëve të rrezikuar janë: 1 rumun, 2 rusë, 6 austriakë, 2 hungarezë, 10 zviceranë, 1 kroat, 8 gjeorgjianë, 5 sirianë, 1 suedez, 1 kanadez, 2 ukrainas, 1 egjiptian, 18 gjermanë, 54 turq, 2 afganë, 22 shqiptarë, 1 maltez, 7 bullgarë, 3 nga Maqedonia, 2 britanikë, 22 italianë, 3 holandezë, 3 belgë, 9 francezë, 2 irakianë, 234 grekë.  Ndërsa sa i përket ekuipazhit: 22 italianë dhe 34 grekë. 

___________________________________________________________________________________

Afër Korfuzit, trageti me 466 persona përfshihet nga zjarri

Një anije e linjës Patra – Ankona është përfshirë nga flakët, duke vënë në rrezik jetën e 466 personave që ndodheshin në bord.

Lajmi raportohet nga mediet greke, nga të cilat mësohet se në anije ndodhen 411 pasagjerë, 55 anëtarë të ekuipazhit dhe 222 automjete. Mësohet se anija u përfshi nga zjarri pranë Korfuzit në orën 05:30 të mëngjesit në Igumenicë, por sipas të dhënave të para nuk raportohet për të lënduar.

Deri rreth orës 08:40 mësohet se 150 persona janë evakuuar me anije varka shpëtimi, ndërsa të tjerët janë strehuar në katet e epërme të anijes.

Anija “Norman Atlantic” kishte destinacion portin Ankona në Itali dhe në të udhëtonin 411 pasagjerë, 55 anëtarë të ekuipazhit dhe 222 automjete. Si raporton Shekulli, anija ndodhet 20 milje në veriperëndim të ishullit shqiptar, Sazani.

Flakët besohet se kanë nisur në depon e anijes duke shkaktuar alarm tek udhëtarët. Ekuipazhi i anijes pas dhënies së alarmit filloi procedurat e evakuimit, ndërsa disa nga udhëtarët raportohet se janë hedhur në det nga frika.

Por deri më tani ende nuk dihet se cilat kanë qenë shkaqet e rënies së zjarrit në bordin e anijes. Në ndihmë të udhëtarëve ndodheshin në bord kanë shkuar forca nga Italia dhe Greqia për të bërë evakuimin e të gjithë udhëtarëve.

Sipas agjnecisë greke “Zougla”, mësohet se anija u përfshi nga flakët rreth orës 04:00 të mëngjesit me orën lokale të Greqisë, në zonën detare 32 milje nga veriperëndimi i Ottos, pasi kjo ishte dhe ora kur ra alarmi.

Ministri i Mbrojtjes, Dendias Nikos, deklaroi se drejt vendit të ngjarjes janë dërguar 5 helikopterë të forcave ajrore.

Sipas drejtuesve ekzekutivë të anijes, situata nën kontroll dhe vazhdon evakuimi. Kapiteni i anijes dhe 22 pjesëtarë të ekuipazhit janë italianë, ndërsa pjesa tjetër nga Greqia.