Shpërthim në një fabrikë në Jemen, 37 të vdekur

Të paktën 37 persona kanë vdekur dhe 80 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi në një fabrikë qumështi në Hodeida, në perëndim të Jemenit, deklaroi sot guvernatori i këtij vendi.

Bota

01/04/2015 20:37

“Bëhet fjalë për 37 të vdekur dhe 80 të plagosur mes punonjësve”, deklaroi guvernatori Hassan Ahmed al-Haii, pa saktësuar nëse kjo fabrikë u prek nga një sulm i koalicionit të drejtuar nga Arabia Saudite apo të shtënat e rebelëve shiitë Houthi.

Drejtori i shërbimeve shëndetësore të zonës, Abdel Rahman Xharallah theksoi më herët se 35 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

“Një pjesë e ndërtesës shkatërrua plotësisht nga shpërthimi, megjithatë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e viktimave të tjera të mundshme”, theksoi ai në një komunikatë./atsh/