Shpërthen Zafiri

Zafir Berisha thotë se qytetarët janë të gatshëm t`i japin fund “Klanit Pronto” në Prizren. Ai ka shpërthyer në akuza të rënda për Kryeministrin Hashim Thaçi. E ka quajtur politikan provokativ, ndërsa ka thënë se nuk do të mund të dhunohet vota e lirë.

Lajme

23/11/2013 14:13

Edhe pak ditë kanë mbetur që të hapet e fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve ndërsa përplasjet në qytetin e Prizrenit vetëm sa kanë filluar.

Pas deklaratave të Kryeministrit Thaçi për koalicionin LDK-BD se është koalicion i interesave personale, nuk ka vonuar shumë kundërpërgjigja nga Kryetari i BD`së, Zafir Berisha.

Ai i ka përcjellë një selam jo fortë të mirë nga qyteti i lashtë i Prizrenit . Thotë se qytetarët janë të gatshëm t`i japin fund dominimit të grupeve mafioze “Klanit Pronto” të cilët po e konsiderojnë qytetin si pronë të tyre.

Berisha nuk është ndalur me kaq.

Siç raporton Prizrenpress, ai ka drejtuar fjalë të rënda në adresë të Kryeministrit Thaçi duke e quajtur atë si “politikan provokativ, e të pafytyrë”.

“Kërcënimet e Hashim Thaçit dhe bandave të tij nuk do të mund ta dhunojnë votën e lirë të qytetarëve siç e kanë dhunuar më 3 nëntor, sepse strukturat tona dhe qytetarët e Prizrenit janë të gatshëm t’i japin fund grupeve mafioze të ‘Klanit Pronto’, të cilët po paraqiten sikur Prizreni të jetë pronë e tyre”.

“E kemi njohur si politikan provokativ dhe të pafytyrë, por tash jemi duke e njohur edhe shpirtin e tij, prej një idioti i cili në takimin e fundit me bandat e tij i ra ndërmend për UÇK’në dhe Komandantët, si patriot me bateria që është, pa e treguar se pse ky në 2007 bëri koalicion me LDK’në dhe Eqrem Kryeziun”.

“Koalicioni BD-LDK është koalicion i cili vjen si rrjedhojë e përcaktimit tonë për ndryshime pozitive në interes të qytetarëve të Prizrenit, dhe jo koalicion i interesave personale siç mundohet ta prezantojë kryehajni i Kosovës Hashim Thaçi para vasalëve dhe servilëve të politikës së tij mjeruese në Prizren”.

Kjo rrugë e re polemikash u hap nga vizita e djeshme e Kryeministrit Thaçi në qytetin e Prizrenit në një takim që kishte pasur me strukturat e partisë së tij i cili ka kërkuar angazhim shtesë për fushatën e raundit të dytë, për garën në mes të kandidati Muja dhe Kryeziu.

Berisha foli edhe për partinë e tij të cilën e quajti shtëpi të qytetarëve të Prizrenit.

“Çdo tendencë e Hashim Thaçit që unë të kthehem në shtëpinë e hajnave ka qenë e pa pranueshme për mua, siç ka qenë e papranueshme dhe tendenca për joshje me poste ministrore dhe miliona euro të cilat i ka vjedhur Hashim Thaçi nga populli i Kosovës. Unë dhe ekipi i Bashkimit Demokratik kemi vendosur që angazhimin tonë politik ta vazhdojmë në përputhje me përcaktimet tona programore dhe votën që kemi marrë më 3 nëntor”.

“Kur Malisheva më 3 nëntor e dënoi ‘Klanin Pronto” për ofendimet që ia kishte bërë Hashim Thaçi, të cilët i kishte quajtur “zagarë”, Prizreni duhet edhe më fuqishëm t’i thotë jo më 1 dhjetor për ofendimin që ia ka bërë qytetit me të pandehurin Ramadan Muja”, ka thënë Zafir Berisha, transmeton Prizrenpress.