Shpërndanin ndihma për vota, arrestohen shefi i sigurimit të Komunës së Gjakovës dhe një biznesmen

Njëri prej dy personave të arrestuar në Gjakovë si të dyshuar se po shpërndanin ndihma në këmbim të votës është shef i sigurimit në Kuvendin Komunal të Gjakovës.

Lajme

16/11/2017 18:54

Tik Pulani dhe Xehemali Radosta janë arrestuar të enjten në një qendër tregtare në Gjakovë, raporton Gazeta Express.

Radosta, i komuniteti RAE, është biznesmen i njohur në Gjakovë, dhe së bashku me shefin e sigurimit të Komunës, janë arrestuar si të dyshuar se po shpërndanin ndihma në këmbim të votës për kandidaten e Alternatives, pikërisht për pjesëtarët e komunitetit RAE.

Rastin e ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë Themelore Ali Uka.

“Personat me inicialet Xh.R. dhe T.P. dyshohen se kanë organizuar në njërën nga qendrat tregtare të Gjakovë shpërndarjen e gjësendeve ushqimore në këmbim të votave. Pas arrestimit janë gjetur disa lista të emrave dhe disa prova të tjera që dyshohet që shpërndarja e këtyre gjësendeve në kohë fushate është duke u bërë në këmbim të votës”, ka thënë prokurori Uka.

Për arrestimin ka reaguar edhe AAK’ja në Gjakovë.