Shpërndahet Kuvendi, shpëton qeveria

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë mbështetur mocionin e kërkuar nga 55 deputetë për shpërbërjen e parlamentit. Për shpërndarjen e Kuvendit, duheshin 80 vota. Pas një debati të ashpër ndërmjet shefave të grupeve parlamentare, nëse duhet të rrëzohet qeveria apo të shpërbëhet Kuvendi, ka ndodhur kjo e dyta, me 90 vota pro, katër kundër dhe tre abstenime, duke iu hapur kështu rrugën zgjedhjeve të parakohshme.

Lajme

07/05/2014 15:03

Deputeti i PDK-së, Arsim Bajramin, në emër të grupit të deputetëve që kanë kërkuar seancën e jashtëzakonshme për shpërbërjen e Kuvendit, ka kërkuar shqyrtimin e këtij mocioni.

Ai ka thënë se PDK e mbështet këtë mocion me përgjegjësinë që e ka për të ruajtur stabilitetin e institucioneve.

“Ne jemi të vetëdijshëm që Kuvendi duhet të jetë funksional, prandaj kërkojmë nga të gjitha partitë politike të mbështesin këtë opsion, që të hapet rruga e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe standarde demokratike”.

Grupi Parlamentar i partisë kryesore opozitare, LDK-së, edhe pse ka kritikuar punën e kabinetit të kryeministrit Hashim Thaçi, e ka mbështetur mocionin për shpërbërjen e Kuvendit, duke shkaktuar me këtë replika me shefat e grupeve tjera parlamentare për “dashuri” me PDK-në.

“Kërkesë disa mujore e LDK ka qenë që të shkohet në zgjedhje më herët, në qershor. Besojmë që ky Kuvend do të vendos për të hapur rrugë për zgjedhje. Esenca e gjithë kësaj është që të shkojmë në zgjedhje, dhe kësaj qeverie që sot qenka komplet e pranishme në sallë, t’ia tregojmë rrugën për në shtëpi”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka votuar kundër shpërbërjes së Kuvendit, me arsyetimin se në rend dite do të duhej të ishte rrëzimi i Qeverisë dhe jo shpërbërja e parlamentit. Vetëvendosje ka kritikuar partinë kryesore opozitare, LDK-në për “shpëtimin” e qeverisë nga rrëzimi.  

Ndërsa Grupi Parlamentar i AAK-së duke kritikuar mosbashkëpunimin e dy partive tjera të opozitës, PDK-së dhe VV-së, ka kërkuar 10 minuta pauzë, me qëllim që të paraqesin mocionin tjetër për rrëzimin e qeverisë, por kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kërkuar të respektohet rendi i ditës.

Edhe Aleanca Kosova e Re, anëtare e koalicionit qeverisës, ka akuzuar LDK-në për marrëveshje me PDK-në, dhe ka kundërshtuar shpërbërjen e Kuvendit, duke përsëritur se mundësitë për manipulime në zgjedhjet e ardhshme mbetën të mëdha.

Në fund të deklarimeve të shefave të grupeve parlamentare, në foltore është paraqitur edhe kryeministri Thaçi, i cili ka thënë se vendimi për shpërbërjen e Kuvendit, duke patur parasysh zhvillimet e fundit, është i domosdoshëm të merret në këtë fazë, sot.

Argumenti kryesor për këtë, sipas kryeministrit, është pamundësia e këtij Kuvendi të themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës, dhe vendime të tjera të cilat ky Kuvend nuk ka qenë në gjendje t’i merr.  

Kryeministri ka thënë se Kuvendi duhet të jetë kredibil, por si i tillë duhet të shpërbëhet dhe të merren të gjitha masat për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe demokratike.

Sipas Kushtetutës, pas shpërbërjes së Kuvendit, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes.