Shpërndahen vëzhguesit

Misioni Vëzhgues i Bashkimit Europian ka konfirmuar se 20 vëzhgues afatgjatë do të nisen nesër në 10 qendrat e Kosovës për ta filluar veprimtarinë e tyre. Ata do ta kontrollojnë procesin zgjedhor.

Lajme

11/10/2013 14:35

Vëzhguesit e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit nga Bashkimi Europian që nga nesër do të shpërndahen nëpër qendrat e Kosovës për ta kontrolluar procesin zgjedhor.

Misioni Vëzhgues i BE’së ka konfirmuar se 20 vëzhgues afatgjatë do të nisen nesër në 10 qendrat e Kosovës për ta filluar veprimtarinë e tyre.

Bashkimi Europian ka themeluar një mision për vëzhgim të zgjedhjeve komunale dhe për kryetarë të komunave që do të mbahen më 3 nëntor dhe në garën eventuale për balotazh të caktuar për 1 dhjetor.

Shefi i Misionit të Bashkimit Europian për vëzhgim të zgjedhjeve është Roberto Gualtieri, anëtar i Parlamentit Europian.

Afër ditës së zgjedhjeve, misioni do të ketë rreth 100 vëzhgues nga 28 shtete anëtare të Bashkimit Europian, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra.