Shpërndahen gjilpëra pa afat

Iset K. nga Prishtina, ka treguar se më 29 gusht, në Qendrën kryesore të mjekësisë familjare në kryeqytet e ka marrë insulinën për gruan e tij dhe po ashtu edhe gjilpërat të cilat kishin afat deri në gusht. Ministria e Shëndetësisë mohon të jenë shpërndarë gjilpëra me afat të skaduar.

Lajme

02/09/2014 09:48

Qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë po shpërndajnë insulinën me gjilpëra pa afat. Gjilpërat që shumë pacientë duhet t’i përdorin deri në fund të shtatorit, kanë afat të përdorimit deri në gusht.

Për pacientët një gjë e tillë është e patolerueshme, shkruan Koha Ditore.

Iset K. Nga Prishtina, ka treguar se më 29 gusht, në Qendrën kryesore të mjekësisë familjare në kryeqytet e ka marrë insulinën për gruan e tij dhe po ashtu edhe gjilpërat të cilat kishin afat deri në gusht.

“Kjo do të thotë se ato gjilpëra mund të përdoren vetëm tri ditë dhe sapo të fillojë shtatori, ato duhet të hedhen. Në barnatore na është thënë se ky është furnizimi i vetëm që u ka ardhur gjatë gushtit ani pse shumë pacient e marrin insulinën në fund të muajit dhe u bie ta përdorin deri në datën e njëjtë të muajit vijues. Kështu është edhe rasti i gruas sime”, ka thënë ai.

Por, zëdhënësi i Mnistrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, mohon të jenë shpërndarë gjilpëra të cilave u ka skaduar afati në muajin gusht.

“Sipas Divizionit Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë institucionet publike shëndetësore të vendit janë furnizuar gjatë këtij muaji, sikurse furnizohen në baza mujore, me gjilpëra 23 G për insulinë”, tha Hoti për KD.