Shpërfaqet edhe më shumë kriza në LDK, Lutfi Haziri kundër Vjosa Osmanit

Lufta për të parin e LDK-së po del të jetë edhe më e ashpër se që mendohej.

Lajme

17/04/2018 19:57

Pas Gazmend Muhaxherit, edhe Lutfi Haziri në mënyrë indirekte ka konfirmuar se do të kandidojë për të parin e LDK-së.

Haziri ka thënë për T7 se gjithmonë është munduar të kryejë punët që ia kanë dhënë.

“S’kam ëndërru as me qenë kryetar i komunës. LDK më ka bërë nder me kandidaturat, dhe jam mundu me e kry punën time”, ka thënë Haziri.

Ai e ka vlerësuar lartë Agim Veliun.

“Agimi nuk ka humbur asnjëherë në zgjedhje në Podujevë, është i qëndrueshëm dhe i palodhshëm”, tha kryetari i Gjilanit.

Por Haziri doli kundër Vjosa Osmanit.

Ai tha se Osmanit njëherë i është dhënë mundësia, por që ka dështuar.

“Rasti i Vjosa Osmanit, ajo njëherë ka provu një kandidaturë kundër Isa Mustafës. Duhet të merret si guxim politik dhe mundësi që LDK-ja ia ka dhënë për të qenë kandidate”, ka thënë Haziri.

Kandidaturën për të parin e LDK-së haptasi e ka treguar edhe Gazmend Muhaxheri. /Lajmi.net