Shpendi promovon biçikletën, por Prishtina s’ka shteg për to

Që prej orës 7:00, qytetarët e Prishtinës, kanë mundur që të marrin biçikleta tek katedralja “Nëna Terezë” dhe të vazhdojnë drejt sheshit “ibrahim Rugova”.

Lajme

22/09/2014 10:42

Këtë gjë e ka bërë edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.  Ai bashkë me disa nga pjesëtarët e ekipit të tij, ka udhëtuar një pjesë të rrugës për në punë më biçikletë, përkatësisht nga katedralja “Nëna Terezë” deri në zyrën e tij në objektin e vjetër të komunës.

Kjo ngase sot është Dita e Qyteteve Evropiane pa Vetura.

Ndërsa, shumë qytetarë prishtinas me siguri biçikletën do ta bënin mjetin e tyre parësor të udhëtimit në qytet, sikur ai të ofronte shtegun për to. 

Përkundrazi, në Prishtinën e tejngarkuar me trafik, dalja me biçikletë përbën rrezik për jetë. 

Por, Ahmeti ka thënë se kjo është simbolikë që sivjet filloi me bllokim të dy rrugëve për vetura, asaj “George Bush” dhe “Garibaldi” dhe që pasdite vazhdon me ndalje veturash edhe në rrugën “UÇK”. Për të parin e Prishtinës, është me rëndësi që të përdoren më pak vetura e më shumë transport publik dhe, sipas tij, këto katër vite mandat do të krijojë një mjedis më të mirë, ku përveç autobusëve më cilësorë edhe rrugët do të jenë të niveleve më të larta.

Gjatë ditës, qytetarët mund të huazojnë biçikleta në disa kënde të qendrës së Prishtinës.

Ndërkaq, sipas një njoftimi të Komunës, qëllimi i këtij aktiviteti bëhet për të promovuar vlerat dhe standardet evropiane për një pjesëmarrje më të gjërë të qytetarëve në përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së ajrit për një jetë më të shëndetshme.