Shpendi premton 4 mijë vendparkingje të reja në Prishtinë

Katër mijë vendparkingje të reja do t’i shtohen kryeqytetit të Kosovës nga muaji tetor. Kjo ka ardhur pas marrëveshje që Komuna e Prishtinës ka lidhur me Universitetin e Prishtinës në projektin e parkingjeve, ndërsa sot Komuna ka marrë edhe prezantimin për inventarizimin e parkingjeve.

Lajme

22/07/2014 18:52

Këto parkingje do të fillojnë në zonën qendër, e cila do të jetë e ndarë në 11 pjesë dhe do të ketë vend për 4,000 vetura, të cilat me sistemin e ri të parkingjeve do të jenë të kufizuara në kohë dhe me pagesë. Banorët e kësaj zone, sipas Komunës së Prishtinës, do të kenë trajtim të privilegjuar.

Komuna e Prishtinës ka krijuar po ashtu edhe ekipet e përbashkëta që do të punojnë në detajim.

Sipas një publikimi të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, në Facebook, gjatë muajit gusht do të bëhet shenjëzimi i vendeve, për të filluar parkingjet deri te sistemi i pagesave, dhe që sipas tyre do të funksionalizohen në tetor.

Pas zonës qendër, Komuna thotë se do të vazhdojë me lagjet në zonën 2.

Në shkrimin e kreut të Prishtinës, janë publikuar edhe dy fotografi amatore, që janë bërë nga një ekip i profesorëve të Universitetit të Prishtinës.

Ahmeti ka njoftuar se në ndërkohë janë duke u arritur marrëveshjet përfundimtare me qytetin e Zagrebit, i cili po ndihmon Komunën jashtëzakonisht shumë gjatë këtij procesi.