Shpendi paditet për shpifje

Ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti si dhe shefi i Grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosjes, Ylli Hoxha është ngritur padi nga biznesmeni Mufail Cakolli për shkak të “shpifjes dhe fyerjes” rreth një çështjes kontestuese.

Lajme

06/05/2014 10:13

Parcela 206 në brendi të Parkut rajonal të Gërmisë është bërë shkas që qytetari Mufail Cakolli, të këmbëngulë se është pronë e tij dhe të ngrejë këtë padi. Ai ka dorëzuar padinë e tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 2 maj nëpërmjet avokatit të tij, Betim Shala, ku ka kërkuar dëmshpërblim 50 mijë euro -30 mijë nga kryetari Ahmeti dhe 20 mijë të tjera nga Ylli Hoxha.

Padia kundër Ahmetit thuhet se është në cilësinë e kryetarit sepse pasi që në mbledhjen e Kuvendit Komunal më 27 mars, kur Kuvendi Komunal do të duhej të sillte propozimvendimin përfundimtar për këmbimin e parcelës 206, si pronë private me një pronë të Komunës e ka nënçmuar Cakollin.

Në padi janë cituar edhe fjalët e kryetarit Ahmeti, sipas të cilit “në vitin 2001 është paraqitur një vërtetim i një gjykate të Serbisë, se gjoja ka pasur kontratë në vitin 1986 në mes të Jankoviqit (shitësit) dhe babait të Mefail Cakollit, Sabitit (blerësit) me ç’rast ai ja paguar 75 mijë marka gjermane serbit”.

“Për çudi, kontrata e datës 4.5.1986 është shkruar në kompjuter. Kretj e dinë që në atë vit nuk ka pasur kompjuter. Dhe këtu duhet të ketë dyshim për ndonjë falsifikim, që duhet të jetë punë e hetuesisë”, citohet të ketë thënë Shpend Ahmeti.

“Paditësi me një veprim të këtillë të të paditurit ka përjetuar dhimbje shpirtërore të intensitetit tepër të lartë, pasi që atij i është dëmtuar dinjiteti dhe reputacioni tek një numër i qytetarëve të Kosovës. Paditësi këtë veprim të të paditurit e ka përjetuar si një tentim degradimi të personalitetit të tij”, thuhet në padi, ku thuhet se kontrata nuk ka qenë e falsifikuar dhe se nuk ishte verifikuar në një Gjykatë në Graçanicë dhe në as një gjykatë në Serbi.

Kësaj padie i është përgjigjur kryetari Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se ai ka dokumentacionin e nevojshëm që të bëjë padi ndaj palës.

“Shumë mirë. Prej fillimit, çdo deklarim ne kemi kërkuar të qartësohet situata me këtë pronë, andaj çdo aktivitet që e qartëson situatën është e mirëseardhur. Ne jemi zgjedhur të mbrojmë interesin publik, ta ruajmë apo ta rrisim pronën komunale, prandaj kemi kërkuar hetime dhe sqarime shtesë në lidhje më këtë çështje”, ka thënë Ahmeti duke shtuar se i gjithë dokumentacioni është gati për kallëzim penal ndaj palës, raporton “Koha Ditore”

Edhe Ylli Hoxha mirëpret që të përballet në gjyq për këtë çështje.

“Ne jemi të interesuar që problemet e pronave publike të zgjidhen jo vetëm për këtë, por për shumë të tjera në mbarë Komunën e Prishtinës”, ka thënë Hoxha, shkuan sot “Koha Ditore”.