Shpendi kërcënon: Kush nuk e pastron borën si duhet, do t’i shkëputet kontrata

Komuna e Prishtinës njofton se pas reshjeve të fundit të borës, ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit si dhe Drejtorisë së Inspektoratit janë në terren, të gatshme për të intervenuar në çdo kërkesë të qytetarëve.

Lajme

29/12/2014 22:14

Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, me rëndimin e situatës për shkak të përkeqësimit të motit, “Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Inspeksionit kanë mobilizuar të gjitha kapacitetet e tyre për të asistuar në pastrimin sa më të shpejtë të rrugëve të Prishtinës, por edhe të rrugëve lidhëse të fshatrave”.

“Komuna informon opinionin publik se nuk janë të rralla rastet kur kanë probleme edhe me disa nga kompanitë e kontraktuara, si rezultat i mungesës së kapaciteteve së tyre, mirëpo edhe për shkak në mos seriozitetit të tyre në raste të caktuara”.

 “Edhe pse kontratat e lidhura me këto kompani janë kontrata kornizë të nënshkruara para dy vjetëve, Komuna e Prishtinës javën e kaluar ka verifikuar gjendjen e makinerisë dhe sasinë e kripës që kanë në dispozicion këta operatorë, por pas reshjeve të fundit të borës, kompanitë nuk i kanë futur në përdorim, e në disa raste nuk i posedojnë kapacitetet që i kanë deklaruar kur kanë aplikuar në tenderët për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Njëkohësisht, janë identifikuar edhe raste kur disa kompani nuk e kanë vullnetin e duhur për ta tejkaluar këtë situatë pothuajse emergjente, me qëllim të lehtësimit të vështirësive të qytetarëve në qarkullim. Sapo të kemi raportin e inspektorëve, si dhe në të njëjtën kohë duke marrë parasysh edhe ankesat e qytetarëve dhe të Policisë së Kosovës, Komuna e Prishtinës do të bëjë vlerësimin e punës së deritashme të secilës kompani veç e veç. Në momentin që do të dokumentohen shkelje serioze të obligimeve që janë të parapara me kontratë, atëherë do të ndërmerren të gjitha masat ligjore, duke përfshirë edhe shkëputjen e kontratës me kompanitë që nuk kanë qenë në nivel të kryerjes së punës së tyre”, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, Komuna njofton banorët e Prishtinës se në vazhdimësi është duke u koordinuar me Policinë e Kosovës, “ndërsa shqetësues mbetet fakti se në komunikacion marrin pjesë shumë makina që nuk i kanë pajisjet dimërore”.