Shpendi e çon çikën e tij nesër në shkollë

Shpend Ahmeti thotë se është vendosur për rifillimin e mësimit dhe pohon se nesër do ta dërgojë edhe vajzën e tij në shkollë. Ai vlerëson se prapa mashtrimit që është bërë me ngrohjen në shkolla, qëndrojnë shumë interesa. Kërkon zbardhjen e rastit.

Lajme

10/02/2014 20:46

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sërish ka folur për çështjen e shkollave.

Kësaj radhe, ka pohuar se mësimi do të rifillojhë nesër, ndërsa ka vlerësuar se mashtrimi që është bërë me sistemin e ngrohjes duhet të zbardhet.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Shpend Ahmeti ka deklaruar se Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik e vlerëson përbërjen me të cilën nxënësit ngroheshin si vaj, por nuk përmend vlerën e lartë të squfurit.

“Është e qartë që prapa mashtrimit qëndrojnë shumë interesa. Diçka që shitet si naftë na del vaj, që as që guxon të importohet e lere më të na shitet.”

“Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik e vlerëson si vaj dhe nuk e thotë asnjë fjalë për vlerën e lartë të squfurit, e që të gjithë mjekët individualisht na e thonë se është i dëmshëm”.

Ahmeti, duke u pajtuar që të rifillojë mësimi, ka thënë se nesër do ta dërgojë edhe vajzën e tij në shkollë, por drejt zbardhjes së këtij rasti nuk do të ndalet.

“Ne kemi vendos që nesër rifillon mësimi dhe do ta dërgoj edhe vajzën time në shkollë.”

Por, ai ka radhitur tri pika lidhur me hapat që do t’i ndërmarrë në vazhdim.

“ 1. Këtu nuk ndalemi për zbardhjen e këtij rasti deri në fund.”

“2. Analizat do t’i dërgojmë edhe jashtë vendit, e për squfurin do të kërkojmë përgjigje edhe nga mjekët e tjerë, e Instituti duhet të mbahet përgjegjës.”

“3. Prokurorisë do t’i kërkojmë përgjegjësi për gjetjet e mashtrimit. Dikush duhet të marrë përgjegjësi”.

“Presioni qytetar duhet të vazhdojë. Vetëm bashkë mund ta ndryshojmë këtë vend për së miri”.