Shpend Ahmeti thotë se me ministrin Rikallo është takuar veç njëherë në tre muaj

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, i cili nëpërmjet një letre dërguar mediave ka thënë se ka bashkëpunuar me të dhe disa të tjerë.

Lajme

16/09/2017 11:39

Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka thënë se asnjëherë nuk  ka punuar me këtë person. Megjithatë, Ahmeti tregon se është takuar njëherë në disa muaj, në takimet e një bordi.

“S’kam punë unë me të. Unë kam qenë në Bord për Fondin për Shoqëri të Hapur. I zgjedhur nga Fondacioni Soros në New York. Aty ka qenë me sa e di edhe Blerim Shala,  Muhamet Mustafa, Ilir Deda Kemi pas takime njëherë në tre muaj në bord dhe gjithë ka pas një përfaqësues të minoriteteve. Më kujtohet pak, e ka pas një OJQ, Shoqëri Civile”, shprehet ai.

Ndryshe, në letrën e Rikallos, ky i fundit ka shpjeguar se bashkëpunimin e tij katër vjeçar si anëtar i Bordit në fondacionin Soros së bashku me Shpend Ahmetin dhe Ilir Dedën dhe me intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina.

Rikalo ka thënë se në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kaa marrë pjesë në themelimin e KAN-it.

“Në atë kohë së bashku kemi punuar për krijimin e strategjisë së luftës jo të dhunshme për një jetë më të mirë dhe për pajtim mes njerëzve në Kosovë. Ai më vonë ka ndryshuar bindjet e veta duke nisur një rrugë tjetër, ka formuar lëvizjen Vetëvendosje e cila përdorë metoda të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike në politikë, gjë që mua nuk më ma konvenuar, thuhet në komunikatën e ministrit të Bujqësisë.