Shpend Ahmeti sërish merret me LDK-në, i kërkon debat Isa Mustafës

Kryetari i Prishtinës, njëherit edhe kandidati për mandatin e dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka reaguar në drejtim të deklaratës së bërë nga kryetari i LDK-së, Isa Musafa.

Lajme

30/10/2017 13:06

Ahmeti ka thënë se e kaluara e LDK-së nuk bën të kthehet asnjëherë në Prishtinë duke drejtuar akuza ndaj ish-kryetarit të atëhershëm, Isa Mustafës.

Ky është postimi i plotë i Ahmetit në Facebook:

Pas postimit tim mbrëmë për më të votuarit e listës së LDK, Agim Gashin, Halim Halimin, Shefki Gashin e djalin e Feim Salihut, qenkan çu me sulme secili prej tyre, me në krye Isa Mustafën, e që në fakt veçse e dëshmon atë që e kam thënë mbrëmë, që kjo garë është e kaluara vs. e ardhmja. Z.Mustafa, dosjet nuk janë më shtatëdhjetë. Edhe me dasht me i hjek dosjet, nuk mundemi me saju ndërtesat që janë në ato dosje, pa leje, me vendime për rrënime, e që qëndrojnë në Prishtinë. Në fakt nuk mundem me i saju 46000 ndërtimet pa leje tuajat, te Shefkiut e Agimit. Nuk muj me i saju tjetërsimet e pronave, e nuk mundem me i saju dallaveret në tenderë. Kësaj do të ja shtoj edhe paditë personale për shpifje që po i bën për çdo ditë por tash prej llogarisë tuaj të facebookut e jo përmes portaleve të paguara me pare të qeverisë.

Por për të gjitha këto, meqenëse Abrashit ka probleme shëndetësore me dhëmbë dhe nuk po del në debate, po ju ftoj në debat një me një, ku flasim për secilen prej atyre dosjeve, për kompanitë e ndryshme që na i lat objektet me probleme ende pa u përfundu, për Ligjin për Prishtinën e për Pallatin e Rinisë e plotë tema tjera. Merrne edhe Agimin, Halimin e Shefkiun. Se ashtu ashtu ju jeni qata që po doni me u kthy.

E kaluara juaj nuk bën të kthehet asnjëherë në Prishtinë, kjo është e qartë tash.