Shpend Ahmeti ngec në vitin 2015

Janë dhjetëra projekte infratukturore që nuk po kryhen në Komunën e Prishtinës të cilat kanë filluar në vitin 2015, 2016 e 2017. Gati të gjitha këtyre projekteve ka muaj që u ka kaluar afati i paraparë me kontratë.

Lajme

08/07/2018 13:00

Një nder kritikat më të ashpra që Shpend Ahmeti ia drejtonte paraardhësit të tij kur  e mori pushtetin komunal në fund të vitit 2013 kishte të bënte me disa projekte që i gjeti me probleme pronësore. Por, vetë qeveria e Ahmetit u fut në obligime kontraktuale pa i rregulluar çështjet pronësore. Shumë projekte kanë mbetur pezull dhe nuk po u shihet fundi, si pasojë e mos shpronësimeve, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë, ka paralajmërime të kompanive që mund të ushtrojnë padi ndajë komunës për mos respektim të kontratës, sikundër edhe komuna ka paralajmëruar se mund t’i shkëpusë disa marrëveshje për shkak të pa përgjegjësisë së kompanive.

Në Raportin e punës për muajin Maj të këtij viti që e ka parë lajmi.net të Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave figurojnë shumë projekte të cilat kanë filluar në vitin 2015, por që nuk janë kryer ende.

Projekti që është tenderuar në vitin 2016, “Ndërtimi i kolektorit betonarme dhe kanalizimi fekal në rrugën mbi lumen Prishtina” është në vlerë prej 2 192 854,60 euro, dhe nuk ka filluar akoma se realizuari në këtë vit, të paktën jo deri në fillim të muajit qershor. Kjo ngase është hasur në probleme pronësore.

“Është njoftuar DIKMK , Drejtoria e Prokurimit, Drejtoria e Pronës, Drejtoria e Inspeksionit, Drejtoria e Shërbimeve Publike për probleme pronesoro-juridike (shpronësimet) që po paraqiten gjatë ekzekutimit (aktualisht pengesa është paraqitur te pronari i parcelë nr.1594-0, ku edhe ekziston një objekt ndërtimi. Për këtë çështje te Drejtoria e Pronës, e Ispeksionit dhe Shërbimeve Publike, nga DIKMK është përcjellë kërkesa për zgjidhje të këtij problemi”, thuhet në arsyetimin e komunës, ku shihen edhe disa fotografi për punët që janë kryer në vitin e kaluar.

Edhe kontrata e nënshkruar në vitin 2016 për “Ndërtimi i kolektorit betonarme për largimin e ujit atmosferik dhe kanalizimi fekal në rrugën mbi lumin Mat, në lagjen “Kalabria”, ka ngecur që nga viti i kaluar për shkak të problemeve pronësore dhe punimet nuk kanë filluar sivjet. Ky tender ishte fituar nga “Jehona” SHPK, NN “Beni Construction” dhe NNP “Arhiko.ing” në vlerë prej 1, 696,063.32 euro dhe plani dinamik ishte që të kryhej për 180 ditë pune.

“Punimet nuk kanë filluar për shakë të problemeve pronësore”, thuhet ne raport, ku është shoqëruar edhe me fotografi.

“Ndërtimi i stadionit të futbollit në Hajvali, faza II” është nënshkruar në vitin 2016 në mes të Komunës dhe SHPK “Vizion Capital Partners” dhe “Conex Group” SHPK. Plani dinamik i punëve ka qenë 120 ditë dhe nuk është bërë e ditur pse nuk është kryer deri më tani. Ndërsa, kontrata është në vlerë prej 414,828.79 eurove, dhe siç shihet në raport, deri në qershor kompanive u është paguar shuma në vlerë prej 200 mijë euro për punët e kryera.

“Punimet janë duke vazhduar në përgatitjet për vendosjen e konstrukasionit të mbulesës së tribunave”, thuhet në raport.

Në vitin 2015 u nënshkrua kontrata edhe për “Ndërtimi i rrugës paralele me rrugën B” në mes të NN “Beni Construction” dhe Komunës së Prishtinës në vlerë prej 279,939.59 eurove. Plani dinamik ka qenë që të kryhet për 120 ditë, por për shkak të problemeve akoma nuk ka përfunduar, madje as nuk shihte ndonjë afat se kur do të kryhen. “Punimet kanë filluar në pjesën e trasës që janë zgjedhur kontestet pronësore”, thuhet në raport.

Për 120 ditë është dashur të përfundojë edhe ndërtimi i rrugëve në Prapashticë, lagjja “Fanaj” dhe lagjja “Balaj”, projekt i cili fillojë së realizuari në vitin 2015, por akoma nuk ka përfunduar dhe nuk dihet se kur do të kryhet.

Nuk po kryhet sipas planit dinamik prej 150 ditë pune as kontrata e nënshkruar në vitin 2017 për “Rregullimi i rrugëve “Reshat Maliqi”, “27 Nentori” dhe te Trafoja, si dhe rregullimi i infrastruktures në rrugët “Aziz Kelmendi”, “Malush Kosova” dhe “Elena Gjika”.

“Probleme pronësore, në shumicën e rrugëve kemi prona private, por për këtë gjë u kemi shkruar bashkësive lokale që të njoftojnë gjithë pronarët e këtyre parcelave, nëse janë të pëlqimit të nënshkruajnë marrëveshjen me Drejtorinë e Pronës për rregullimin e këtyre rrugëve”, thuhet nw shpjegimin e Komunës.

Tenderi “Ndërtimi i urave në pjesën perëndimore të Unazës qendrore” është është nënshkruar në vitin 2016 me kompaninë “Rexha” SHPK dhe plani dinamik ka qenë 180 ditë, ndërsa kontrata ka qenë në vlerë prej 1 milionë e 969  mijë euro. Por, punimet ka kohë që kanë ngecur. “Punimet nuk mundur të vazhdohen për shkak të mosdislokimit të hekurudhave dhe mosdislokimit të Doganës, për të cilën çështje është lajmëruar drejtori dhe kryetari i Komunës. Objekti i Doganës është rrënuar jo krejtësisht, sepse pengon trafo e KEDS-it dhe disa kabllo nëntoksore. Jemi në pritje të zgjidhjes nga KEDS-i”, thuhet në arsyetimin e drejtorisë së Investimeve Kapitale për këtë projekt.

Ndërkohë, ura e parë 74 m’ është betonuar deri te shtylla e fundit.

Edhe “Ndërtimi i rrugës Barilevë-Besi” që ishte paraparë të kryhej për 180 ditë nuk ka përfunduar akoma. Kontrata është lidh në vitin 2015 në mes Komunës dhe kompanive “Rexha” SHPK, “Benita Company” SHPK dhe “Arh “Arhiko Ing” me lider “Rexha” SHPK, në një vlerë prej 965,582.96 euro. Ky projekt kishte hasur në probleme të mëdha pronësore, por janë zgjidhur dhe aktualisht po punohet dhe punët janë në fazën përfundimtare.

Për më keq, Komuna ka hasur ne probleme edhe me kompanitë gjate këtij viti. Sipas raportit, kontrata për “Rindërtimi, sanimi dhe zgjerimi i disa rrugëve sekondare në territorrin e komunës së Prishtinës” është nënshkruar në këtë vit me kompanitë NTP ”Bashkimi” dhe NPSH “Bageri” në vlerë prej 247,853.52  eurove, por pos gërmimit të një pjese të dheut punët deri në muajin qershor nuk kanë filluar. “Më 24.04.2018, përmes njoftimit – shkresës është urdhëruar operatori për herë të fundit, që të fillojë me ekzekutimin e punimeve, në të kundërtën, do të iniciojmë procedurat e shkëputjes së kontratës në zyrën e prokurimit si autoritet kontraktues”, thuhet në raportin e punës të kësaj drejtorie.

“Rikonstruktimi i çerdhes në lagjen “Tophane””. Kontratë e lidhur me 19.10.2016 në mes të Komunës dhe “Tribuna “ SHPK në vlerë prej 60,683.05 euro është pranë shkëputjes së marrëveshjes.

“Gjatë këtij muaji nuk kemi zhvillime të punimeve, jemi në procedurë të ndërprerjes së kontratës. Pas shumë ftesave dhe kërkesave që OE “Tribuna” të vazhdojë me punime, nuk është marrë asnjë nismë e punimeve. Disa nga punimet e zhvilluara nuk janë punuar në mënyrë cilësore, dhe disa punime tjera duhet të sanohen”, thuhet në raport.

Projektet e tenderuara që janë ndërpre dhe që nuk kanë filluar më

Ndërtimi i shkollës fillore në lagjen “ Mati 1”, vlera e projektit është 1,458,452.95 euro, nr. id. 61615061511, dt. 23.07.2015, punimet nuk kanë filluar, është në procedurë gjyqësore për çështje pronësore.

Ndërtimi i sallës së edukatës fizike të shkollës “Shtjefёn Gjeqovi”, vlera e projektit është: 238,564.24 euro, nr. id. 616 15 156 521, dt. 22.10.2015; punimet janë ndërprerë për shkaqe pronësore.

Ndërtimi i shkollës në lagjen “Kalabria”, vlera e projektit është 1,458,452.95 euro, nr. id. 61615135511, dt. 30.10.2015, punimet nuk kanë fillua për shkak të çështjeve pronësore. /Lajmi.net/