Shpend Ahmeti në dialog: VV nuk e përkrah, LDK kërkon zgjedhje

Tash e disa ditë në media qarkullojnë lajmet se kreu i Partisë Socialdemokrate dhe njëherit kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti do t’i bashkohet grupit negociator në dialogun me Serbinë.

Lajme

11/12/2018 21:35

Shpend Ahmeti thuhej se do t’i bashkohej Fatmir Limajt në kryesinë e grupit negociator në dialogun me Serbinë gjë që është mohuar nga vet partia që e udhëheq Ahmeti, shkruan lajmi.net

PSD nëpërmjet një reagimi për media kanë thënë se lajmi që Shpend Ahmetin e afron me një pozitë në ekipin negociator të Kosovës në dialog me Serbinë nuk është i saktë.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka thënë gjithashtu se Partia Socialdemokrate nuk ka asnjë marrëveshje me asnjë subjekt parlamentar lidhur me çështjen e dialogut.

E në lidhje me idenë e përfshirjes të të parit të Prishtinës në procesin e dialogut lajmi.net ka kontaktuar dy partitë e tjera opozitare, LDK e Vetëvendosje.

Ismajl Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për lajmi.net se Shpend Ahmeti ka mjaft punë në komunë dhe do të ishte më mirë që të rregullonte punët e komunës sesa të përfshihej në dialog.

Në anën tjetër, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa për lajmi.net është shprehur se dialogu është përgjegjësi e ekzekutivit.

“Është obligim me përgjegjësi kushtetuese e ekzekutivit, në këtë rast e kryeministrit Haradinaj që të dialogoj me Serbinë gjë që duhet të rezultoj me njohje reciproke të të dy shteteve sovrane, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Mustafa

Ai gjithashtu është shprehur se ekipin negociator duhet ta udhëheqin institucionet e vendit që kanë legjitimitet  përmes shumicës së votave të qytetarëve.

“Kjo qeveri ka abstenuar nga përgjegjësia e saj për të udhëhequr këtë dialog, njëkohësisht duke mos e pasur as shumicën e thjeshtë të votave në parlament, e aq më pak shumicën e nevojshme për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo qeveri nuk e ka as legjitimitetin të udhëheq dialogun e as të qeveris vendin”, tha Mustafa.

Ndërsa për idenë e përfshirjes së Shpend Ahmetit në dialogun me Serbinë, Mustafa është shprehur se opozita ka gjithmonë rol të rëndësishëm, por përgjegjësia i takon shumicës parlamentare.

Mustafa është shprehur se LDK mirëpres caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe formimin e një qeverie të re, që përmes legjitimitetit të votës së qytetarëve do të ketë legjitimitet të plotë për të udhëhequr dialogun.

Ndërkohë, analisti Arton Demhasaj është shprehur se sa më shumë faktor të përfshihen në proces është në dobi të Kosovës.

“Mendoj që sa më shumë faktorë që i bashkohen procesit është mirë për Kosovën, sa më shumë njerëz që të ketë mundësia e gabimeve është më e vogël, kështu që mendoj se është pozitive”, është shprehur Demhasaj.

Kjo sipas tij edhe për faktin që PSD është parti opozitare dhe kështu po zgjerohet rrjeti i partive politike në këtë proces.

Demhasaj i pyetur në lidhje me përfshirjen e pjesës tjetër të opozitës në dialog është shprehur se ky është procesi më i rëndësishëm i Kosovës, prandaj gjithë faktori politik duhet të jetë i involvuar, duke përfshirë edhe shoqërinë civile dhe mediat. /Lajmi.net/