Shpend Ahmeti fton që protesta e radhës të mbahet në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka ftuar që protesta e radhës, kundër deklaratave të ministrit të Kthimit, Aleksandar Jabllanoviq, të mbahet në Prishtinë. 

Lajme

17/01/2015 19:16

Në Gjakovë sot u organizua një protestë që kërkonte dorëheqjen e ministrit të Kthimit, Aleksandar Jabllanoviq, pasi ky i fundit i kishte quajtur “egërsira” familjarët e personave të zhdukur nga kjo komunë, të cilët kishin protestuar kundër vizitës së pelegrinëve serbë në këtë qytet. 

Protestën e cila sot në Gjakovë mblodhi mijëra njerëz, e ka përshëndetur edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili me ç’rast ka kërkuar që protesta e radhës të mbahet në kryeqytet.   

“Krenar për protestën madhështore në Gjakovë kundër fyerjeve të qeverisë ndaj familjarëve të të zhdukurve dhe fyerjeve ndaj qytetarëve të Republikës.

Me heshtje të qeverisë nuk zbehet përgjegjësia e as nuk mbulohet turpi.

Në protestën e radhës Prishtina ju mirëpret!”, ka shkruar kryetari i Prishtinës në Facebook. (lajmi.net)