Shpend Ahmeti flet për vrasjen e 16 vjeçarit në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka ngushëlluar familjen e 16 vjeçarit Aulon Zeka i cili u vra para disa ditësh në Prishtinë.

Lajme

18/09/2017 18:15

Ahmeti ka thënë se shpreson që autoritetet të zbardhin sa më shpejt rastin e vrasjes dhe ka shtuar se siguria e arsimit duhet të jenë prioritet i cilësdo qeversije në vend.

“Shpresoj që organet e rendit të zbardhin sa më shpejtë rastin në mënyrë që dorasit të vihen para drejtësisë. Siguria, armët dhe arsimi duhet të jenë prioritet për secilën parti, komunë e qeveri në Republikën e Kosovës. Para disa viteve, e tërë një shoqëri u mobilizua për ta ndihmuar Aulonin në vështirësitë shëndetësore që kishte, ndërsa sot mbetemi të tronditur nga vrasja makabre e 16 vjeçarit të ndjerë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ky është postimi i tij i plotë:

Vrasja e të riut Aulon Zeka ka tronditur jo vetëm familjen por edhe gjithë opinionin në Kosovë. Vrasjet për motive të ulta janë gjithmonë të rënda por mosha e Aulonit dhe të dyshuarve e bëjnë rastin edhe më të rëndë. Gjatë këtyre dy ditëve kam pas rastin të informohem edhe nga Policia edhe nga familja për detajet. Shpresoj që organet e rendit të zbardhin sa më shpejtë rastin në mënyrë që dorasit të vihen para drejtësisë. Siguria, armët dhe arsimi duhet të jenë prioritet për secilën parti, komunë e qeveri në Republikën e Kosovës.
Para disa viteve, e tërë një shoqëri u mobilizua për ta ndihmuar Aulonin në vështirësitë shëndetësore që kishte, ndërsa sot mbetemi të tronditur nga vrasja makabre e 16 vjeçarit të ndjerë.
Edhe njëherë familjes i shprehim ngushëllime për humbjen e madhe që po përjetojnë, e Aulonit i lehtë i qoftë dheu.
Shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten asnjëherë e askund në Kosovë.