Shpend Ahmeti është duke menduar tërheqjen nga politika?

I sulmuar nga të gjitha anët, madje edhe nga eksponentë të lartë të partisë të cilën e përfaqëson, i pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është duke e menduar tërheqjen nga politika, shkruan portali Sakte.net, duke u thirrur në burime të veta.

Lajme

20/04/2017 09:23

Ky portal, shkruan se nga burime të sigurta mëson se i pari i Komunës së Prishtinës ndjehet i lodhur nga sulmet e gjithanshme dhe përllogaritjet politike në kurriz të tij.

Derisa ndodhet në vitin e fundit të mandatit të tij si kryetar i kryeqendrës kosovare dhe teksa ka realizuar 11 nga 12 zotimet e premtuara në fushatën elektorale, kryetari që u zgjodh edhe si politikani më i guximshëm në Evropë është duke menduar seriozisht t’i kthehet profesionit të tij të mëparshëm, pavarësisht popullaritetit të tij dhe sondazheve që atë e paraqesin si fitues absolut në Komunën e Prishtinës nëse do të rikandidonte edhe për një mandat katër vjeçar.

Sakte.net mëson se presionet brenda Lëvizjes Vetëvendosje janë të shumta pasi që ky subjekt politik ka shënuar rritje të ndjeshme, ndërsa largimi eventual nga politika i Shpend Ahmetit do të sillte pasoja të pariparueshme në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, tash së fundmi, po sipas të njëjtit portal, opinioni është ndarë në dysh sa i përket fuqisë politike të Shpend Ahmetit dhe ish liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Që të dy, në të gjitha sondazhet e paraqitura gëzojnë reputacion më të lartë sesa lideri aktual i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.