Shpend Ahmeti e braktis debatin me Arban Abrashin edhe te Jeta Xharra

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, me gjasë nuk do të debatojë në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv me kundërkandidatin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi, as të premten.

Lajme

16/11/2017 23:25

Pas refuzimit për të marrë pjesë në debat zgjedhor përballë Abrashit në Kohavision (në kuadër të emisionit “Rubikon”, të Adriatik Kelmendit), të martën, dhe në Radio Televizionin e Kosovës, të mërkurën, kryetari aktual i Prishtinës duket se nuk do të debatojë me kandidatin e LDK’së as në RTV 21, në kuadër të emisionit “Debat përnime”, të Jeta Xharrës.

Debati te Xharra, mes Ahmetit dhe Abrashit, është planifikuar të zhvillohet të premten, nga ora 19:45.

Por, Ahmeti, nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka paralajmëruar se atë ditë, nga ora 19:30, do të jetë i pranishëm në tubimin përmbyllës të partisë së tij në Prishtinë.

Tubimi i Vetëvendosjes, ku Ahmeti ka thënë se do të jetë i pranishëm, nis vetëm 15 minuta para kohës së paraparë për fillimin e debatit mes tij dhe Abrashit.

Ahmeti e Abrashi janë ballafaquar me njëri-tjetrin deri më tani vetëm një herë, në studiot e Klan Kosovës, të hënën.

Fushata për balotazhin e zgjedhjeve lokale, që do të mbahet më 19 nëntor, përfundon zyrtarisht të premten.