“Shpend Ahmeti dembel, projektet për Prishtinën nuk po realizohen”

Edhe pse Selim Pacolli kishte premtuar projekte gjigante për Prishtinën pas futjes në koalicion me Shpend Ahmetin, asnjëra prej tyre deri tash nuk ka marrë nismën.

Lajme

02/06/2018 23:13

Madje, nga Iniciativa për Progres kanë bërë të ditur për T7, se nuk ka një koordinim të mirë mes koalicionit, dhe se projektet zor se do të realizohen pasi që në Komunën e Prishtinës, zyrtarisht kundër Shpend Ahmetit kanë dal asamblistët e Vetëvendosjes.

Emërimi në krye të Partisë Social Demokrate të Kosovës i kryetarit të Prishtinës,  Shpend Ahmetit, po ndikon edhe në punën e Asamblesë Komunale.

Kështu vlerësojnë monitorues të punës së Kuvendit Komunal të Prishtinës, të cilët thonë se ka përçarje të mëdha brenda Vetëvendosjes e PSD’së.

Valentina Abazi nga Iniciativa për Progres thotë për televizionin Shtatë se mbledhja e fundit e Kuvendit ishte dëshmi për këtë.

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, e cila u mbajt të enjten, me propozimin e Vetëvendosjes u vendos për shkarkimin e Qëndrim Sahitit të Partisë Socialdemokrate nga pozita e aksionarit në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Ky shkarkim sipas INPO’s nuk u krye proceduralisht në rregull.

E pos Vetëvendosjes Ahmeti duket se telashe ka edhe me partnerin e koalicionit, Aleancën Kosova e re.

Projektet e mëdha që Selim Pacolli, kundërkandidat i Ahmetit i premtoi gjatë fushatës, nuk po gjejnë zbatim pavarësisht se është tashmë pjesë e qeverisjes në Prishtinë, ani pse ishte vetë Selimi ai që para se të hynte në koalicion me Shpend Ahmetin ishte zotuar që projektet e AKR’së, do të përfundojnë.

Por, Selim Pacolli, nënkryetar i Komunës së Prishtinës nga AKR, mohon ndonjë mospajtim në punën e përbashkët të tyre.

E derisa e mohon nënkryetari Pacolli, vetë kryetari i Prishtinës asnjëherë prej betimit të tij si kryetar nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e asamblesë