Shpallet kompania fituese për ‘Borea’, do t’ia sjellë Pejës 240 mijë turistë në vit

Tri javë pas përzgjedhjes së tre kompanive për t’i dorëzuar ofertat e tyre, sot është shpallur edhe kompania fituese e cila do ta ndërtoj Qendrën Turistike “Borea”. Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka konfirmuar se konsorciumi italiano – slloven ‘Leitner AG SPA & FILAV SA’, është shpallur fitues.

Lajme

13/04/2017 20:07

Ai ka thënë se pas një pune të gjatë, sot është bërë përzgjedhja e operatorit, i cili do ta ndërtoj Qendrën Turistike “Borea”.

Muhaxheri në një intervistë për Telegrafin ka theksuar se projekti duhet të kalojë në Komisionin ndërministror, i cili jep dritën jeshile që të nënshkruhet kontrata për ekzekutimin e punëve për ndërtimin e BOREA-s.

“Është bërë publikimi i kompanisë fituese, në njërën prej gazetave të përditshme. Tash e kemi edhe kohën e ankesave – që zgjatë prej 10 ditësh”, ka theksuar ai.

Muhaxheri ka thënë se ëndrra e kamotshme e qytetarëve të Pejës, po bëhet realitet, duke shtuar se “ka qenë një dëshirë e madhe e gjeneratave të mëhershme që të realizohet ky atraksion turistik”.

“Falë rrethanave që kane qenë atëbotë nuk është ekzekutuar, ndonëse i posedon shtigjet më të mira të skijimit”, ka thënë ai.

Më tutje i pari i Pejës, ka thënë se efektet ekonomike që do t’i prodhojë BOREA, do të jenë të shumëanshme.

“Ne kemi bërë studimin e fizibilitetit, master planin, besojmë se do te jetë një qendër që do të ndikoj në hapjen e vendeve të punës, në zhvillimin e bujqësisë, turizmit, hotelerisë dhe fushave tjera”, ka theksuar Muhaxheri.

Sipas tij ndërtimi i projektit duhet të zgjasë nga 20 deri në 24 muaj, ku njëra prej kritereve ka qenë koha e ndërtimit të Qendrës.

“Investimi do të jetë 54 milionë euro, dhe do të ndërtohet në dy vite. Në vitin e parë do të ndërtohet teleferiku me 68 kabina dhe një skilift. Derisa, vitin tjetër shtohen edhe dy skilifta, ku kapaciteti i plotë do të jetë 20 kilometra shtigje të skijimit, që i përmbushin të gjitha kriteret që i kërkojnë skiatorët”, ka shtuar Muhaxheri.

Ajo që e bën unike BOREA-n, sipas të parit të Pejës, është se është qendra e vetme – jo vetëm në rajon, por edhe ne Evropë – që është kaq afër një qendre të madhe urbane, “dhe mundësia që brenda një kohë të shkurtër të arrihet prej lartësisë mbidetare 500 deri në 2400 metra”.

“Mendoj se kjo Qendër do të ndikoj drejtpërdrejt në turizëm dhe hotelieri. Ndikimi do të jetë edhe në bujqësi, dhe do të ketë njerëz që do të punësohen në menaxhimin e kësaj qendre. Fuqia më e lirë punëtore do të ndikoj që të punësohen me shumë njerëz. BOREA do të jetë disponim të qytetarëve për katër stinë. Nga studimi i fizibilitetit është paraparë që brenda vitit 240 mijë vizitorë ta vizitojnë qytetin. Por, besojmë se do të kalohet kjo shifër, dhe projekti do t’i ndihmojë edhe pjesëve tjera në zhvillimin e turizmit. Do të ndikoj në zhvillimin e turizmit në Bjeshkët e Rugovës, ne qytet brenda dhe në komunat afër”, ka shtuar Muhaxheri.

I pari i Pejës, nuk ka lënë pa përmendur edhe projekte tjera të realizuara nga ai dhe stafi i tij, që lidhen direkt ose indirekt me turizmin.

Ai ka thënë se “ne kemi ndërtuar siç dihet dy Via Ferrata”, duke shtuar se këtë vit do të ndërtohet Via Ferrata e tretë, e cila do të jetë edhe më e gjatë.

“Ideja është që turisti që e viziton Pejën të qëndrojë dy ose tri dite duke parë atraksione. Më pas e kemi Zip Line më i madh në Ballkan. Do të ndërtojmë edhe një Zip Line në qytet, i cili është më i vogël se aktuali. Më pas duhet ta përmendim shpellën e Radavcit si pjesë turistike. Në anën tjetër, paraglajdi me motor – shumë shpejt do të bëhet, e që do t’i bartë dy persona. Më pas atraksioni i ri për qytetin e Pejës, është Parku i Aventurave, që brenda pak ditësh do të bëhet funksional. Peja po bëhet atraksion jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe të vendeve të rajonit”, ka theksuar Muhaxheri.

I pari i Pejës, ka treguar edhe për një varg projektesh në infrastrukturë, që janë duke u ndërtuar ose që priten të ndërtohen në qytetin e Pejës, të cilat do ta ndihmojnë turizmin në qytet.

Muhaxheri ka thënë se Peja është kthyer në një punishte, duke treguar ndër të tjera edhe për ndërtimin e disa bulevardeve, impianteve të ujërave të zeza, e të tjera.