Shoqëria në Testin e Maturës

Nuk bën që një shoqëri e tërë të jetë detyrë e Policisë dhe e Gjyqësisë. Por, asaj rruge jemi nisur, mbi të gjitha, për shkak të dështimit të politikës kosovare.

Opinion

02/07/2014 17:54

Edhe Ushtrinë nëse duhet do ta angazhojmë për ta siguruar Testin e Maturës.

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Arsimit të Kosovës, në këtë mënyrë u shpreh për një gazetë kosovare, kur u pyet se a është në rregull që është dashtë të angazhohet Policia e Kosovës për ta mundësuar mbarëvajtjen e Testit të Maturës.

Me gjasë, në përpjekjen për ta dëshmuar zotimin e Ministrisë së Arsimit për një ngjarje madhore në shkollën kosovare, ai e pa të arsyeshme ta ri-fuqizojë këmbënguljen e kësaj Ministrie që me polici dhe me ushtri të bëjë të mundshme diçka që në fakt, është thelbi i detyrës së një Qeverie dhe të një Ministrie.

Angazhimi i kësisoj i Policisë së Kosovës sot, e i Ushtrisë së Kosovës, ndryshe, në krijim e sipër, nesër, në garantimin e Testit të Maturës është emri dhe mbiemri i dështimit të plotë kësaj Ministrie dhe është kryefjala e një rrugëtimi që shoqëria kosovare ka marrë kah degradimi i vlerave elementare që i ka.

Ma zi nuk ka ku shkon. Që të jemi të sinqertë.

Për shkak të manipulimeve dhe hajnive të shumta që ndodhën në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, prej vitit 2013, apo, prej zgjedhjeve lokale, duke përfshirë pra edhe zgjedhjet e përgjithshme të cilat u mbajtën me 8 qershor, po detyrohemi ta kompozojmë një Task Forcë Speciale, në përbërje të Policisë dhe Prokurorisë të Kosovës, për të garantuar mirëvajtjen e zgjedhjeve, apo të shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Dikush këtu mund të shtojë, me atë entuziazmin e zyrtarit të Ministrisë së Arsimit, që nëse duhet, edhe Ushtrinë e Kosovës do ta aktivizojmë përreth kutive të votimit.

Është e vërtetë që sikurse në Testin e Maturës, ashtu edhe në zgjedhjet që po mbahen tash, aktivizimi i Policisë dhe i Prokurorisë po bën punë, apo, po siguron që hajnia të mos jetë parimi kryesor në arsim dhe në zgjedhje. Por nuk kemi çka të krenohemi me këtë punë. Përkundrazi. Kjo na sjell të gjithëve në stadin e një turpi kolektiv.

Si po na ecin punët, nuk është çudi që do ta thërrasim në ndihmë Policinë edhe kur mbahen manifestimet e zgjedhjes së Miss Kosova, se sa për rolin që ka Policia në ndeshjet sportive, kjo është e ditur tash e sa kohë. Pa policët në stadium, me siguri kishim pasur të vrarë dhe të plagosur.

Nuk bën që e gjithë shoqëria kosovare të shndërrohet, në të gjitha segmentet e saj, si hapësirë që mbulohet nga Task Forcat e ndryshme, Policia dhe Prokuroria. Do të na duhen dhjetëra mijëra policë dhe qindra e mijëra prokurorë të mbajmë Rendin dhe Ligjin në shoqërinë kosovare – nëse vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë.

Mos do të mbërrijmë, kështu, në një situatë paradoksale, kur do të duhej ta dërgojmë në vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, gjithë shoqërinë kosovare, apo mënyrën se si ajo gjallëron dhe funksionon?

Policia dhe Gjyqësia, relaisht, në një shoqëri e kanë rolin që në Mjekësi e ka Qendra Emergjente. Nuk bën dhe nuk ka gjasa që shëndeti të jetë në ‘mandatin’ e Qendrës Emergjente. Zaten, nuk mund as të ketë Qendër Emergjente efikase, nëse Mjekësia si e tillë, nuk funksionon si duhet.

Nuk bën dhe nuk ka mundësi që një shoqëri e tërë të jetë detyrë e Policisë dhe e Gjyqësisë. Por, asaj rruge jemi nisur, para dhe mbi të gjitha, për shkak të dështimit të politikës kosovare, të mosfunksionimit të institucioneve të Kosovës.

Kur në pranverën e vitit 1998 plasi lufta në Kosovë, njëra prej fjalive që me të madhe qarkullonte në Prishtinë, fliste më shumë se gjithçka tjetër për shpresat që i kishin qytetarët e rëndomtë të kryeqytetit të Kosovës, për rrjedhën e mëtejmë të ngjarjeve në vend. Ajo fjali thoshte: ‘Për fatin tonë të madh, fati i jonë nuk është në duart tona, por në ato të Perëndimit’.

Ishte me siguri një thjeshtësim kjo fjali. Megjithatë, shqiptarët e Kosovës kishin dëshmuar, për decenie me radhë tashmë, që nuk e pranojnë fatin e të qenit nën Serbi, dhe që janë në gjendje të bëjnë gjithçka për ta prishë këtë kob. Por ajo fjali e thoshte saktë se çfarë rëndësie kishte për ne asokohe lidhja me Perëndimin. Po të mos bëhej kjo lidhje, nuk do të mbërrinim në verën e vitit 1999 dhe në dimrin e vitit 2008.

Por tash, njëmend fati jonë është në duart tona, sepse për këtë shkak zaten bëhet shteti.

Dhe kështu si po sillemi, ne po e nëpërkëmbim këtë fat.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)