Shoqëria civile nuk e përkrahë protestën e 14 Majit

Në protestën e organizuar nga opozita e bashkuar VV, AAK dhe Nisma në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, morën pjesë shumë aktivistë të shoqërisë civile. Madje 54 nga këta të fundit, patën nënshkruar një deklaratë ku e përkrahnin protestën për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë për Demarkacionin dhe Asociacionin e Komunave Serbe.

Lajme

12/05/2016 12:45

Por tash kur është ndarë opozita në dysh, dhe protesta më 14 maj është thirr vetëm nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, disa aktivistë më të zëshëm të shoqërisë civile, nuk do t’i bashkohen protestës të shtunën, shkruan lajmi.net

Dukagjin Gorani, i përfolur mjaft në media si i afërt me Vetëvendosjen, ka deklaruar për lajmi.net se nuk do të dal në protestë.

Ai beson se protesta nuk do të jetë masive, sikurse ajo e 17 Shkurtit, për faktin se është organizuar nga një pjesë e opozitës.

“Unë nuk do të jem në Kosovë më 14 maj, por kam frik se protesta nuk do të jetë efikase në grumbullim të njerëzve meqë është e organizuar prej një pjese të partive opozitare”, tha Gorani.

Sikurse ai, edhe Imer Mushkolaj nuk do të gjendet në Kosovë të shtunën kur do të mbahet protesta. Por ai ka një arsye tjetër pse nuk do të marr pjesë.

Mushkolaj konsideron se qëllimi i kësaj proteste është më shumë një formë e konfirmimit të fuqisë politike, sesa kundërshtimet ndaj Qeverisë.

“Nuk do të marr pjesë sepse jam jashtë vendit. Por edhe po të isha në Kosovë, nuk do te merrja, pjesë, sepse më shumë është protestë që ka për qellim në njëfarë forme konfirmimin e fuqisë politike, sesa kundërshtimin e qeverisë”, vlerëson Mushkolaj, për lajmi.net

Jashtë vendit të shtunën do të jetë edhe aktivistja Besa Luzha, por ajo nuk ka dashur të flas më tepër për protestën. Ndërkaq, Dardan Islami, njëri nga nënshkruesit e listës për pjesëmarrje në protestën e 17 Shkurtit, thotë se nëse do të jetë shëndosh, do të dal në protestë.

“Do të duhej, që jem shëndosh”, është përgjigjur aktivisti dhe komediani Islami në pyetjen nëse do të marr pjesë në protestën e organizuar nga AAK dhe Nisma. /lajmi.net