Shoqëria civile kërkon nga Mustafa suspendimin e Mujës

Organizata Ec Ma Ndryshe i ka drejtuar sot një letër Qeverisë së Kosovës, kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrit Mariq.

Lajme

23/06/2016 14:39

Ec Ma Ndryshe thotë se kryetarit të komunës së Prizrenit po i afrohet fundit të mandatit si një kryetar i dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas kësaj organizate, derisa Muja nuk po jep dorëheqje, qyteti është degraduar në një qeverisje kriminale, transmeton lajmi.net

Këta aktivistë të cilët kanë mbajtur konferencën për media para ndërtesës së Qeverisë, kanë kërkuar nga kryeministri që të suspendojë Mujën nga detyra e kryetarit në bazë të ligjit, sikurse liroi ministrin Ferid Agani.

“Largimi i Ramadan Mujës nga pozita publike do të përbënte një precedent pozitiv për qeverisjen demokratike në Kosovë dhe do të tregonte vullnetin tuaj për të siguruar qeverisje me duar të pastra në vendin tonë”, thuhet në letrën publike.

Kjo është letra e plotë:

Letër e hapur e organizatave të shoqërisë civile drejtuar Qeverisë së Kosovës për mandatin e kryetarit Ramadan Muja

23 qershor 2016, Prishtinë

I nderuari Kryeministër Mustafa,

I nderuari ministër Mariq,

Qeverisja lokale në Komunën e Prizrenit shkel çdo parim të qeverisjes së mirë dhe standard ligjor e kushtetues.

Kryetari i Komunës së Prizrenit po i afrohet fundit të mandatit të tij qeverisës si një kryetar i dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Përderisa Kryetari Ramadan Muja ka vendosur që të mos jap dorëheqje dhe të pres vendimin e shkallës së dytë, e ndoshta edhe të Gjykatës Supreme, qeverisja në këtë komunë ka degraduar në një qeverisje kriminale. Këtë javë, një zyrtar i lartë i Komunës së Prizrenit u denua me tri vite burg efektiv për shpërdorim të detyrës zyrtare. Dy javë më parë, për shkak të neglizhencës së pushtetit lokal, një vajzë tre vjeçare humbi jetën si pasojë e shembjes së objektit në Qendrën Historike të Prizrenit. Në vazhdimësi, Komuna e Prizrenit është duke lejuar shkatërrimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit. Kryetari Muja është ndër të paktët persona zyratrë të cilin përfaqësuesit diplomatik të vendeve të huaja nuk pranojnë ta takojnë.

Duke marrë të gjitha këto parasysh, duke u thirrur në Kushtetutën e Kosovës, nenin 123, pika 4, i cili flet për qeverisjen e mirë në nivel lokal, si dhe duke u bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale, kërkojmë nga qeveria të marrë këtë vendim:

Të suspendoj Kryetarin e Komunës së Prizrenit z. Ramadan Muja, konform nenit 64 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, sipas të cilit “Kryetari i komunës mund të suspendohet me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës brenda afatit prej 30 ditëve, nëse kryetari ka cenuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi… Qeveria e Republikës së Kosovës (brenda 30 ditëve) mund të suspendojë me vendim kryetarin e komunës dhe t’i dorëzojë lëndën gjykatës kushtetuese… Nëse gjykata kushtetuese e përkrah vendimin. Qeveria mund shkarkojë nga detyra kryetarin.”

Largimi i Ramadan Mujës nga pozita publike do të përbënte një precedent pozitiv për qeverisjen demokratike në Kosovë dhe do të tregonte vullnetin tuaj për të siguruar qeverisje me duar të pastra në vendin tonë. Fundja, nëse para disa ditësh e keni liruar nga detyra e ministrit Z. Ferid Aganin për shkak të aktakuzës së ngritur, presim që rasti i Kryetarit të Prizrenit të trajtohet me seriozitet edhe më të shtuar marrë parasysh faktin se ky i fundit tashmë ka Aktvendim të Gjykatës të ngritur përtej dyshimit të bazuar.