Shoqatat shqiptare në Austri bëhen me Këshill Koordinues

Një numër shoqatash të shqiptarëve në Austri janë bashkuar në një këshill Koordinues për të ndihmuar në koordinimin e aktiviteteve. Këshilli pritet të ndihmojë në koordinimin brenda shoqatave dhe atë me shtetin austriak.

Lajme

13/02/2014 11:51

Shoqatat të cilat përfaqësojnë shqiptarët që jetojnë e punojnë në Austri janë bërë me Këshill Koordinues i cili pritet ta bëjë më të lehtë koordinimin e punëve dhe aktiviteteve ndërmjet shoqatave por edhe me shtetin austriak.

Në një komunikatë të lëshuar nga ky Këshill Koordinues, thuhet se gatishmëria dhe vullneti i Shoqatave dhe shoqërisë civile shqiptare në Austri, ka bërë të mundur që shoqatat shqiptare të bashkohen në një trup të vetëm.

Këshilli pret që tash e tutje ta ketë më të lehtë që t’i organizojë aktivitetet e kulturës, sportit, arsimit, integrimit si dhe ne përkujtimin dhe shënimin e datave me rëndësi të veçanta nacionale, por edhe të ngjarjeve historike për shtetin dhe popullin austriak.

Në kuadër të Këshillit janë inkuadruar shumë shoqata dhe subjekte shqiptare si : Shoqata “Afrim Zhitia”, Shoqata”17 Shkurti”, Shoqata “Ilirët”, Shoqata “12 Qershori”, Shoqata e Studentëve Shqiptarë, Shoqata “Iliria”, LSHFA, Shoqata e Mësuesve dhe Prindërve Shqiptarë “VALE”, Shoqata e Shkrimtarëve ” Aleksandër Moisiu” , Shoqata “Timi”, Instituti Shqiptar “Aleksandër Moisiu” dhe shumë individë të tjerë.

Në këtë këshill përfshihen shoqatat që përfaqësojnë shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë,  Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe Çamërisë.

“Synimi i këtij Këshilli është ngritja e nivelit të bashkëpunimit ( pa e humbur autonominë e shoqatave ) te shoqatave, subjekteve dhe shoqërisë civile me qëndrim në Austri, në sfera të ndryshme të veprimit me interes të përbashkët, bashkimi i kapaciteteve intelektuale dhe materiale me qëllim të përsosjes së realizimit të aktiviteteve me interes të përbashkët për bashkëkombasit tanë që jetojnë dhe veprojnë në Austri”, thuhet në komunikatë.

Këshilli Koordinues për këtë vit ka në kalendar një varg ngjarjesh të karakterit historik, kulturor dhe sportiv.