Shoqata kundër Kancerit shënoi 35 vjetorin e themelimit

Aktivitetet e Shoqatës së Kosovës kundër kancerit që nga themelimi i saj ka ndihmuar që shumë pacientë të diagnostifikohen me kohë dhe në këtë mënyrë të të shërohen.

Lajme

19/03/2015 17:18

Por në Kosovë ende mungojnë mjete që do të mund të diagnostifikojnë me kohë sëmundjet e kancerit.

Kështu është thënë në 35 vjetorin e shënimit të themelimit të kësaj shoqate, me ç’rast u tha se në Kosovë ka ende vend për shumë aktivitete nga ana e të gjitha organeve kompetente dhe nga të gjithë profesionistët shëndetësor.

Nazmi Mustafa, njëri ndër themeluesit e kësaj shoqate, tha se mundësia që një i sëmurë të shërohet më shpejt mbetet detyrë individuale e po ashtu institucionale.

“Mundësia që një i sëmurë të shërohet në Kosovë prej diagnozës së parë e deri në ato faza që nganjëherë përfundojnë me një fat të padëshiruar, janë dhe mbeten detyra edhe individuale, edhe institucionale, si dhe të profesionistëve, prej mjekëve deri tek akademikët që ta japin kontributin në mënyrë që në Kosovë të formohet një ambient, dhe atë që është si moto edhe në këtë përvjetor, t’i ndihmojmë dhe ajo që është e shërueshme të shërohet edhe në Kosovë”, tha Mustafa.

Njëri nga tipat më të rrezikshme të kancerit e që duhet të kemi të dhëna mbi të është kanceri kolorektal, i cili është shkaku i dytë i vdekjeve nga kanceri në përgjithësi.

Zaim Gashi, kryetar i Shoqatës gastrohepatologëve, tha se ky lloj i kancerit është pika kyçe për të cilin duhet të ketë një strategji të veçantë të diagnostifikimit, pasi që, sipas tij, ky lloj i kancerit është kanceri i tretë më i shpeshtë tek gratë dhe burrat.

“Sa i përket tipave të kancerit kolorektal ekzistojnë disa tipe, 80 për qind janë sporadike, domethënë fillojnë vetvetiu pa ndonjë bazë paraprake, hereditare janë 4 për qind trashëguese, ndërsa familjare janë 15 për qind, ndërsa sëmundja inflamatore vetëm 1 për qind. Përse i japim kaq rëndësi kancerit kolorektal? Është me mundësi të madhe të parandalimit dhe mund të themi se është shkaku i dytë i vdekjeve nga kanceri në përgjithësi, ndërsa nga kanceri i tretë më i shpeshtë tek meshkujt dhe tek femrat. Mushkëritë prijnë për nga numri më i madh i paraqitjeve së rasteve, pastaj zorra e trashë, gjiri dhe prostata. Duhet të dimë një fakt se sot në botë sipas publikimeve më të reja çdo 4 minuta diagnostifikohet një rast me kancerin kolorektal, ndërkaq në çdo 10 minuta vdes nga një person nga po kjo sëmundje”, tha Gashi.

Kjo shoqatë është themeluar për herë të parë më 15 mars të vitit 1980 dhe kryetari i parë i saj ka qenë Pajazit Nushi. Kjo shoqatë ka për synim që të ndihmojë sa më shumë që pacientët me sëmundje të kancerit të diagnostifikohen dhe të shërohen sa më shumë në Kosovë.