Shokon ministri serb, Nenad Rikalo: E kisha bashkëpunëtor Albin Kurtin

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, i cili gjatë ditëve të fundit është akuzuar se ka rrahur e maltretuar shqiptarët gjatë luftës, ka sqaruar përmes një deklarate për media të kaluarën e tij.

Lajme

15/09/2017 16:41

Ai ka shokuar me deklaratë, duke konfirmuar se pas luftës në Kosovë ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Albin Kurtit – lider i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nga viti 2001 deri në vitin 2003 kam punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kurse nga viti 2003 në mënyrë aktive kam punuar në sektorin civil për pajtim mes komuniteteve dhe për zhvillim të shoqërisë. Ndoshta këtë publiku nuk e di, por 4 vite kam qenë anëtarë i Bordit në fondacionin Soros së bashku me Shpend Ahmetin dhe Ilir Dedën dhe me intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina. Në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kam marrë pjesë në themelimin e KAN-it. Në atë kohë së bashku kemi punuar për krijimin e strategjisë së luftës jo të dhunshme për një jetë më të mirë dhe për pajtim mes njerëzve në Kosovë.  Ai më vonë ka ndryshuar bindjet e veta duke nisur një rrugë tjetër, ka formuar lëvizjen Vetëvendosje e cila përdorë metoda të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike në politikë, gjë që mua nuk më ka konvenuar. Që nga atëherë kemi ndërprerë bashkëpunimin”, ka thënë ministri Rikalo.

Duke sqaruar akuzat e ngritura ndaj tij, ministri Rokalo ka thënë se të gjitha materialet e publikuara për të janë të pasakta dhe qëllimkëqija dhe kanë pasur për qëllim diskreditimin e tij, të Listës Serbe dhe Qeverisë së sapoformuar.

“Si një person që është dëshmuar në angazhim për pajtim mes komuniteteve dhe për një shoqëri multietnike gjatë 18 viteve të fundit, e kuptoj se plagët e luftës ende nuk janë shëruar dhe se ende shkaktojnë dhimbje pa marr parasysh se kujt i përkasin. Këto plagë shkaktojnë emocione të thella me të cilat më së lehti manipulohet. Në asnjë moment nuk i kam bërë asnjë të keqe asnjë shqiptari të Kosovës. Deri në vitin 1999 kam luajtur basketboll, kam studiuar dhe kam bërë një jetë të qetë në Prishtinë. Asnjëherë me asnjërin prej fqinjëve nuk jam fjalosur apo hyrë në konflikt. Tani po e shoh se disa prej tyre nuk më paskan pëlqyer edhe aq, por besoj se me shumicën kam pasur respect”, ka shkruar ministri serb Rikalo.

Ai ka folur edhe për angazhimet e tij pas vitit 2013 kur ka qenë i angazhuar në shumë projekte dhe iniciativa të shoqërisë civile në Kosovë, kurse prej vitit 2013 deri në vitin 2017, Rikalo ka thënë se ka punuar në Komisionin Qendror Zgjedhor në Prishtinë.

“Fushata e rrejshme që po udhëhiqet kundër meje dhe familjes time është e bazuar tërësisht në informata të pasakta. Dy fakte janë të rëndësishme, vëllai im nuk ka jetuar dhe nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, babai im është pensionuar në vitin 1996 pasi që i ka mbijetuar dy infarkteve. Ata që e udhëheqin këtë fushatë, mund lirisht të vazhdojnë edhe më tej të trillojnë gënjeshtra për ta, por për këtë ekzistojnë prova të padiskutueshme”, ka thënë Rikalo, ndërsa po ashtu ka sqaruar edhe akuzat e bëra ndaj tij nga deputeti I LDK-së Armend Zemaj.

“Zemaj, deputet në Parlamentin e Kosovës, e ka gënjyer publikun kur ka shfaqur fotografinë e supozuar të vëllait tim, ku nuk gjendet ai dhe është pjesë e fushatës së qëllimshme të manipulimit të publikut. Mendoj se publiku duhet të dijë të gjitha këto, se fushata është krejtësisht e natyrës politike dhe se qëllimi i saj është diskreditimi im dhe rrëzimi i qeverisë. Duket se çdo serb më i shquar duhet të kalojë nëpër këtë situatë me akuza të rrejshme, mirëpo këtë herë kanë zgjedhur njeriun e gabuar. Këtu jam 18 vite, jam person publik, vazhdimisht i pranishëm në media dhe nëse qëllimi i dikujt është të më frikësojë, këtë nuk ka arritur ta bëjë aspak”. Ka shkruar ministry Rikalo në sqarimin e tij për media.