Shkupi, një ndër qytetet më të ndotura në Evropë

Sipas Institutit për Shëndet Publik të Republikës së Maqedonisë, e cila në Shkup organizoi një seancë plenare me punëtori për vlerësimin e efekteve të ajrit të ndotur ndaj shëndetit të njerëzve në rajonin e Shkupit, qyteti i Shkupit është një ndër qytetet më të ndotura në Evropë, veçanërisht me praninë e madhe të grimcave të dëmshme PM 2.5, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajme

18/01/2017 16:07

Grimcat PM 2.5 kanë formë aerodinamike dhe janë një produkt i djegies nga industria, qymyri dhe pluhuri i bartur nga era. Sipas ekspertëve, grimcat PM 2.5 janë shumë më të rrezikshme në krahasim nga grimcat PM 10 dhe në rrezik të veçantë nga këto grimca janë fëmijët, të sëmurit kronik dhe gratë shtatzëna.

Instituti për Shëndet Publik i Maqedonisë bëri të ditur se këto janë hulumtime të mbështetura nga Twinning projekti i Bashkimit Evropian (BE), i cili ka për qëllim përforcimin e kapaciteteve për vlerësim të rreziqeve shëndetësore nga ajri i ndotur.

Dragan Gjorgjev nga Instituti për Shëndet Publik i Maqedonisë, duke marrë shembull qytetet më të afërta me vendin si Bukureshti dhe Budapesti, në të cilat sipas tij, grimcat PM 2.5 në mesatare vjetore janë rreth 30-40 mikrogramë, në Maqedoni këto grimca të dëmshme janë regjistruar deri në 70 mikrogramë.

“Këto të dhëna tregojnë se prania e grimcave PM 2.5 tek ne është gati dy herë më e madhe. Kjo tregon se kemi edhe një barrë të madhe të sëmundjeve që vijnë nga ndotja e ajrit. Ata janë tre grupe kryesore të sëmundjeve, edhe atë sëmundja ishemike e zemrës, sulmi në tru dhe kanceri i mushkërive të bardha”, deklaroi Gjorgjev.

Në këtë punëtori mysafirë ishin anëtarë të Institutit për Shëndet dhe Mirëqenie Sociale të Finlandës të cilët janë edhe koordinatorë të Twinning projektit të BE-së në Maqedoni. Otto Hanninen nga Instituti i Finlandës tha se një ndër opsionet kryesore për reduktimin e grimcave PM 2.5, e cila në Finlandë ishte e suksesshme, është promovimi i ngrohjes qendrore, pastaj pluhuri i rrugës dhe sektori i industrisë.

Sipas hulumtimit të kryer nga Instituti për Shëndet Publik i Republikës së Maqedonisë, afër 35 përqind e vdekjeve në tërë territorin e vendit janë për shkak të sëmundjeve që paraqiten nga ndotja e ajrit. Nga ky institut thonë se në Maqedoni rreth 1.300 persona në vit humbin jetën për shkak të ndotjes së ajrit.