Shkup, tentativë për sulm ndaj flamurit të Turqisë

Sot në Shkup para Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë një person i panjohur ka tentuar ta shkul flamurin e Republikës së Turqisë nga automjeti zyrtar me targa diplomatike të ambasadës turke, por nuk ia arriti qëllimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lajme

23/03/2017 21:34

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë (MPB) njoftoi se ngjarja në fjalë është konstatuar sot para Ministrisë në fjalë.

“Në orën 16:14 Orhan Salih, shoferi i ambasadores turke, në Njësinë për informacione dhe komandë ka raportuar se derisa automjeti me targa diplomatike i Ambasadës Turke ishte i parkuar, në të cilën kishte të theksuar flamurin e Republikës së Turqisë para Ministrisë së Kulturës, ka ardhur personi N.N i cili deshi ta shkul flamurin nga automjeti, por nuk ia arriti qëllimit. Pas kësaj personi u largua në drejtim të panjohur”, njoftoi MPB-ja.

Ambasadorja Kara, në një deklaratë për AA, duke konfirmuar sulmin në fjalë që ndodhi gjatë takimit të saj me ministren e Kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska, theksoi se ky rast dhe raste të ngjashme në asnjë mënyrë nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.

Ajo theksoi se, Turqia dhe Maqedonia janë miq dhe shtete vëllezër dhe shtoi se “Mes shteteve tona ekziston mirëbesim i ndërsjellë dhe marrëdhënie të mira në çdo sferë”.

Kara tha se ky tentim për sulm është i karakterit individual dhe theksoi se nuk duhet të zmadhohet. Ajo shtoi se shoferi i autorizuar Salih, do ta kërkojë drejtësinë në kuadër të ligjeve të Maqedonisë.

Sot në Shkup, ambasadorja e Turqisë në Maqedoni, Tulin Erkal Kara realizoi takim me ministren e Kulturës së Maqedonisë, Elizabeta Kançevska Milevska.

Në takimin mes ambasadores Kara dhe ministres Kançevska Milevska, që u mbajt në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë, u bisedua për restaurimin e Kurshumli an-it, që gjendet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, si dhe për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe projektet nga sfera e kulturës.