Shkrimtari kroat që me anijen “Besa” lundroi mbarë botën

Kur në tetor të vitit 2012 në moshën 98-vjeçare vdiq në Zagreb Jozha Horvat, mijëra njerëz në Kroaci ulën kokën në shenjë nderimi. Ai ishte shkrimtar, detar i regjur, partizan, intelektual i angazhuar, dëshmitar i shekullit të ’20. «Jozha Horvat pati një jetë jashtëzakonisht të pasur.

ShowBiz

11/09/2016 08:24

Për ne që e kemi njohur nga ditët e rinisë ai ishte nocion i vitalitetit të palodhshëm», tha historiani i njohur Slavko Goldstein. Qysh si gjimnazist Jozha Horvat mori në telefon shkrimtarin e famshëm Miroslav Kërlezha, të cilin e njoftoi se kishte shkruar një roman dhe e luti t’ia lexonte dorëshkrimin.

«Kam qenë gjimnazist, ndërsa Kërlezha atëherë ishte në Mount Everestin e fushës letrare. Në telefon ishte paksa i shqetësuar kur u prezantova. Tek kur i thashë se jam gjimnazist, ma dha rastin të shkojë te ai», kishte treguar Horvat në vonë në një intervistë. Pas Luftës së Dytë Botërore Horvat ishte, mes tjerash, drejtor i «Jadran filmit». Në vitin 1952 shkoi në Paris i zemëruar pasi filmi «Ciguli Miguli», i xhiruar duke u bazuar në një roman të tij, u konsiderua si reaksionar dhe u ndalua nga Partia Komuniste e Jugosllavisë.

Ne këtë film Horvat kritikoi burokracinë e tipit sovjetik, por komunistët jugosllavë e përjetuan atë si goditje edhe ndaj tyre. Për 25 vjet filmi u mbajt i mbyllur me kyç. U shfaq tek në vitin 1977. Më 1989 u emitua në televizion dhe më 2011 u digjitalizua. Miroslav Kërlezha e quajti Horvatin «Vasco da Gama ynë, që lundroi botën në lëvozhgën e arrës», përkatësisht në «gjethin e blirit».

Jozha Horvat kishte një ëndërr të madhe: të lundrojë botën me anije. Dhe këtë ëndërr e realizoi mes viteve 1965-67, kur me anijen «Besa» udhëtoi me lundër gjithë rruzullin ujor. Besa? A ka kjo të bëjë diçka me shqiptarët? Po! Shumë. Në ditarët e botuar më 1973, në dy vëllime, të cilët mbajnë titullin «Besa 1» dhe «Besa 2», Jozha Horvat shpjegon se kjo fjalë i kishte dhënë shumë kurajë për t’u nisur në udhëtimin e tij nëpër detet dhe oqeanet e botës. «Ta jep fjalën, fjalën e nderit…! Fjalën… fjalën e nderit…? Përnjëherë më bie ndërmend – besa! Fjalë e dhënë fuqishëm! Ja, ky është emri i anijes sonë! …

Fjalë shqiptare e nderit, dhënë mysafirit kalimtar apo të arratisur se i zoti i shtëpisë do ta mbrojë. Besë quhet edhe një lloj paqeje që lidhet mes familjeve apo fiseve në gjakmarrje. Po e shkeli kush këtë lloj bese, do t’i kallet shtëpia apo do t’i nënshtrohet gjakmarrjes. Besa jepet edhe te shqiptarët e Jugosllavisë». Kështu shkruan Jozha Horvat në udhëpërshkrimin e tij «Besa», përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Gjatë jetës së tij Horvat u godit jo vetëm nga regjimi komunist, por edhe nga fatkeqësitë. Dy bijtë e tij humbën jetën, njëri në aksident trafiku, tjetrin e gllabëruan valët në një nga lundrimet nëpër botë. Gjeneratat e moshuara në Kroaci e kujtojnë me nostalgji Jozha Horvatin. Në vitet e rinisë këto gjenerata dëgjonin emisionin për detarë të Radio Zagrebit dhe përcillnin valë pas vale lundrimin e anijes «Besa» – dhe me atë rast mësonin edhe nocione të reja gjeografike nga Jozha Horvati.

Kur e mori botën në sy Jozha Horvat ia dha besën vetes dhe shokëve se do të kthehet. Dhe këtë besë e mbajti. Botoi ditarët e tij dhe më 1973 sërish mori botën ujore në sy. Jetoi gati një shekull. Kaq ia kishte dhënë besën vetes. Me kalimin e viteve edhe komunistët jugosllavë filluan ta çmojnë Jozha Horvatin, mes shumë dekoratave mori edhe të tilla që bartnin emrat e Josip Broz Titos dhe Vladimir Nazorit. «Kam ëndërruar për detin që kur isha djalosh. Tash kur jam afër moshës njëqindvjeçare vazhdoj njëjtë të ëndërroj për detin. Deti na dha gëzime të përhershme, por edhe vuajtje të përhershme. Ai është dashuria dhe frika ime prej së cilës s’kam mundur të heq dorë kurrë», tha ai pak para se «Besa» e tij të ul velat përgjithmonë. Sepse «jeton vetëm ai, i cili jeton për diçka».