Shkreptimë për ta ndritur të kaluarën e Runikut – Lajmi.net
Shkreptimë për ta ndritur të kaluarën e Runikut
Autori: Lajmi.net EntertainmentKulturë/Arte 16:59, 6 July 2018
Në Drenicë, rreth 60 kilometra larg kryeqytetit, katundet janë të shpërndara si pikla boje mbi kanavacë të vrazhdë. Pranë qytezave të Skenderajt dhe Drenasit, të cilat mezi kanë nga 10,000 banorë, fushat e blerta të luginës shtrihen mes shumë vendbanimeve të vogla, secila me ngjyrë të veçantë.

Sa më gjatë të vozitësh përmes rrugëve të fshatrave të kësaj zone, aq më shumë vërehen shtresimet historike që ngërthehen brenda tij. Përtej prehjes së saj të gjelbër fshihen varrat e rënda të luftës, të cilat shpesh shpërfaqen dhe zakonisht përmenden tok me emrin e rajonit.

Po të shkosh më thellë, gjenden mbetje tjera të ish-Jugosllavisë, gjurmë të shoqërive mesjetare, e madje edhe copëza të periudhave të kryehershme. Një fshat i veçantë me emrin Runik ka tërhequr vëmendje të posaçme prej viteve të 60-ta me pasuri të jashtëzakonshme e artefakteve të lashta arkeologjike.

Në oborrin e një çajtoreje të këndshme në qendër të katundit takuam Petrit Halilajn, artist kosovar me vendbanim në Berlin të Gjermanisë.

Petrit Halilaj

Halilaj, artist i njohur që ka fituar një mirënjohje speciale në Bienalen e Venedikut në vitin e kaluar, është kthyer në shtëpi për ta organizuar ngjarjen e parë publike kulturore në Runik në 20 vitet e fundit.

E quajtur ‘Shkreptima’ pas një reviste të moçme të shkollës së fshatit, kjo ngjarje e larmishme artistike që përfshin muzikë, teatër, dhe instalacione të artit bashkëkohor do të mbahet para rrënojave të Shtëpisë së Kulturës së Runikut këtë shtunë (07.07.2018).

Runik

“Ndonjëherë kthehem rilidhur. Kam shkuar të bisedoj me mësuesen time, dhe ata (vendasit) flisnin për kohën kur ishin aktorë të rinj, dhe çfarë kanë bërë. Teatri këtu ka pasur shumë sukses,” thotë ai.

Sipas Halilajt, kanë qenë rreth 4,000 këso shtëpi të kulturës anekënd ish-Jugosllavisë, shumë prej të cilave sot janë vetëm hije të gjendjes së tyre të mëparshme.

Runik

Siç e përshkruan Halilaj, Shtëpia e Kulturës së Runikut ka funksionuar si “muze i artit bashkëkohor”.

E ndërtuar në vitet e 50-ta, Shtëpia e Kulturës e fshatit ka pasur një librari që dikur kishte rreth 11,000 libra, teatër ku aktorët luanin drama rregullisht, kinema, sallë koncertesh dhe dyqane të vogla. Bisedat me aktorët e atëhershëm, shumë prej të cilëve ende jetojnë në Runik, kanë qenë frymëzim për Halilajn që ta organizojë ‘Shkreptimën’ rreth gërmadhave të Shtëpisë së Kulturës së Runikut.

“Teatri mbante deri në 300 njerëz. Madje ndërtuan një mur në dritare sepse ata që nuk mundnin të merrnin bileta e pengonin shfaqjen duke shikuar nga jashtë”, rrëfen Halilaj.

“Grupi teatral ishte aq i suksesshëm sa filluan të bënin shfaqje në katundet tjera përreth”, tregon ai.

Halilaj, i cili vjen nga fshati Kostërrc afër Runikut, ka studiuar në Milano dhe ka pasur ekspozita të shumta ndërkombëtare, së voni edhe në “New Museum” të Nju Jorkut. Një pjesë e madhe e punës së tij ka elemente biografike: ekspozita e tij në Nju Jork përmbante rikrijime të shumta të relikteve të gjetura në fshat, dhe në vitin 2011, ai e gërmoi dhe transportoi një copë të madhe dheu nga fshati i tij dhe e shfaqi në Bazel të Zvicrës.

“Jam kënaqur shumë këta muajt e fundit, më duket se jam ringjallur. Ndihem me fat, sepse ky është ndoshta momenti i fundit që mund ta bëj këtë, shumë nga aktorët janë rreth 70 vjet të vjetër, disa kanë filluar të harrojnë”, thotë ai, teksa iu afrohemi shtyllave të jashtme të ndërtesës.

Runik

Teksa ecim përgjatë mureve me tulla të dheut të pjekur, Halilaj thotë se ngjarjet e shpeshta të Shtëpisë së Kulturës, të cilat në shumë mënyra kanë qenë shembuj të identitetit vendas të Runikut, janë ndaluar me shpërbërjen e Jugosllavisë.

“Konflikti filloi këtu (në teatër), pak a shumë. Kur ndjenjat nacionaliste filluan të forcoheshin në Jugosllavi, dramat u ndërruan për të shtuar sentimente nacionale. Në vitet e fundit, (regjimi) ia ndali tërë buxhetin, dhe e kufizoi hapësirën”, thotë ai.

Runik

“Ishte pjesë e sistemit jugosllav, dhe mu sikur sistemi, edhe ndërtesa u prish”, tregon Halilaj.

Meqenëse shumica e shtëpive të fshatit u shkatërruan gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, banorët filluan ta përdorin hapësirën e rrënuar të Shtëpisë së Kulturës për të hedhur mbeturina. Ekipi i ‘Shkreptimës’, i përbërë prej artistëve dhe vullnetarëve, përfshirë edhe banorë të Runikut, e pastruan hapësirën.

“I larguam rreth 16 kamionë me mbeturina prej hapësirës”, thotë ai.

Runik

Veç pastrimit, prej shkurtit, Halilaj dhe ekipi i tij kanë bërë hulumtime rreth historisë së rajonit dhe Shtëpisë së Kulturës. Deri në dhjetor, ekipi do të publikojë një katalog me rezultatet e kërkimeve dhe ta shndërrojnë performancën në ekspozita në Itali dhe Zvicër.

Por, ngjarja kryesore është këtë të shtunë: një performancë që e tregon historinë e një djali nga Runiku që bie në gjumë në gërmadhat e Shtëpisë së Kulturës, dhe hyn në një botë ëndrrash që e fut tërë audiencën dhe hapësirën brenda saj. Tingujt e okarinës, një instrument i lashtë neolitik i zbuluar pak metra larg qendrës së fshatit, do ta drithërojë rrënojën, duke e grishur rikthimin e jetës së kahershme kulturore të Runikut.

Runik

“Okarina do ta nis performancën, dhe do të shërbejë për ta zgjuar atë. Ajo e lidhë parahistorinë me kohën e tashme, por edhe me historinë e vetë teatrit”, shpjegon Halilaj.

“Do ta përdorim vetë ndërtesën si instrument muzikor, gurët, drutë, xhamat, dyert, muret, çatinë”, thotë ai.

Brenda ëndrrës së djalit, një kolektiv aktorësh prej 30 vetash, gjysma e të cilëve janë nga Runiku, do të shfaqen copëza të dramave që dikur ishin pjesë e programit teatral të Shtëpisë së Kulturës të Runikut. Performanca do ta ketë një koncert nga Andrra (Fatime Kosumi), e cila ka punuar me Halilajn për të krijuar melodi të veçanta për shfaqjen. ‘Shkreptima’ po ashtu do të ketë projeksione të videove, drita, dhe skena të posaçme teatrale.

Runik

“Së bashku, ato (dramat) thurin storie të re. Ato shfaqen si kujtime, jo si të plota, prandaj krijojnë kuptim të ri,” thotë ai.

Tamam si një shkreptimë e fortë drite, Halilaj shpreson që Shkreptima do ta ndezë një bisedë për rëndësinë e kujtesës kolektive, dhe rëndësinë e rilidhjes me të kaluarën tonë të afërt. Pasi që një pjesë e madhe e të rinjve të Runikut e lënë fshatin pas një kohe të caktuar, Halilaj thotë se është thelbësore që njerëzit e Runikut ta gjallërojnë lidhjen me Shtëpinë e Kulturës dhe historinë e zonës në përgjithësi.

Runik

“Mënyra e vetme për të organizuar diçka në Runik, diçka që e lidh të tashmen me të kaluarën, dhe gjeneratat e kaluara me kujtesën e tyre, është nëse bëjmë diçka në Shtëpinë e Kulturës… Shtëpia e Kulturës ka qenë pasqyrë e mënyrës së si njerëzit janë ndier, dhe e ëndrrave të tyre”, thotë ai.

‘Shkreptima’ do të fillojë në orën 9 të mbrëmjes të shtunën më 7 korrik te Shtëpia e Kulturës në Runik. Transporti falas nga Prishtina në Runik është i mundësuar nga parkingu prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Autobusi niset në orën 6:30. /KALLXO.com

Runik
Runik
Runik
Runik

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO