Shkon në 13 numri i deputetëve të arrestuar

Në orët e vona të ditës së hënë, deputetët opozitarë janë larguar nga objekti i Kuvendit të Kosovës.

Lajme

14/12/2015 23:11

Jashtë Kuvendit, pesë deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, janë shoqëruar për në polici deputetët Glauk Konjufca, Besa Baftiu, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili dhe Faton Topalli.

Ndaj deputeti Ismaili dhe Topalli, ishte në fuqi masa e arrestit shtëpiak, raporton lajmi.net.

Që të gjithë deputetët dyshohen për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Më herët gjatë ditës së hënë, në Polici janë shoqëruar edhe tre deputetë të tjerë të partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Pal Lekaj, Time Kadriaj dhe Teuta Haxhiu, ndaj të cilëve është caktuar masa e mbajtjes prej 18 orësh. Edhe këta kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit.

Ndërkaq, në paraburgim është edhe deputeti Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Ismail Kurteshi nga VV. Ky i fundit u arrestua sot, pasi ka shkelur masën e arrestit shtëpiak.

Ndërkaq, në arrest shtëpiak është Haxhi Shala nga Nisma për Kosovë dhe Donika Kadaj-Bujupi nga AAK.

Kështu numri i deputetëve që janë nën arrest shtëpiak apo në paraburgim ka shkuar në 13./lajmi.net