Shkolla pa asnjë nxënës në Skenderaj

Dy shkolla janë mbyllur në komunën e Skenderajt, një nuk ka filluar fare punën pas ndërtimit, ndërsa vitin që vjen do të mbyllen edhe dy shkolla të tjera, në mungesë të nxënësve. Në Drejtorinë e Arsimit të Skenderajt thonë se zvarritja e punëve në tri shkolla, në objektin e gjimnazit, në shkollën e Qubrelit dhe në atë në Qirez, bëhet për shkak të mungesës së buxhetit

Lajme

26/09/2016 08:29

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, nuk është shumë moti që kishte premtuar se nxënësit e gjimnazit “Hamzë Jashari” të Skenderajt vitin e ri shkollor do ta presin në objektin e ri. Por fjalët e ministrit Bajrami, përveç për shkollën në Turiqevc, ndërtimi i së cilës ka zgjatur 6 vjet, kanë mbetur vetëm fjalë në letër, pasi që nxënësit e gjimnazit vitin shkollor e kanë filluar në objektin e vjetër, i cili nuk i plotëson fare kushtet për zhvillimin normal të mësimit.

Drejtori i Arsimit në komunën e Skenderajt, Bekim Latifi, i tha “Zërit” se MASHT-i nuk ka ndarë mjete me rishikim të buxhetit për objektin e ri të gjimnazit dhe se pret që ndërtimi të kryhet vitin që vjen. Gjithashtu, Latifi sqaroi se edhe dy objekte shkollore të tjera që kanë filluar të ndërtohen nuk do të kryhen sivjet, por vitin e ardhshëm.

“Bëhet fjalë për objektet shkollore në Qirez dhe në Qubrel. Për shkollën e Qirezit janë kërkuar 250 mijë euro për të përfunduar punimet, por nuk është ndarë shuma e kërkuar, ndërsa për ndërtimin e objektit të gjimnazit, me rishikim nuk është ndarë asnjë cent. Gjithashtu edhe shkolla në Qubrel pritet të përfundojë vitin që vjen”, ka sqaruar Latifi.