Shkodrani masakroi gruan me çekiç, zbulohet arsyeja e aktit makabër

Burri masakron gruan me çekiç në kokë, vetëm pak muaj pas celebrimit të martesës së tyre.

Lajme

28/04/2018 21:48

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orëve të mesnatës së të enjtes në lagjen “Qemal Stafa”, që ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës. Policia bëri të ditur se pranë vendit të quajtur “Ish-Pallati i Kinezëve”, te rruga Dervishbeg, në katin e katërt të një pallati, 69-vjeçari Bashkim Teli ka vrarë gruan e tij Suzana Shemuni.

Sipas të dhënave të para, autori dhe viktima kishin rreth 3 vite që jetonin me njëri-tjetrin dhe së fundmi ata kishin vendosur të celebroheshin. Të dy vinin nga martesa të mëparshme, nga të cilat, viktima 58 vjeçe kishte gjashtë fëmijë, ndërsa autori dy vajza. Në sajë edhe të dëshmisë së dhënë nga vetë autori pas arrestimit nga Policia, çifti ka pasur një debat të ashpër me njëri-tjetrin para se të ndodhte krimi i rëndë. Sipas autorit, ai e ka qëlluar bashkëshorten sepse ajo i ka kërkuar me insistim që t’i dorëzonte asaj paratë e pensionit.

69-vjeçari nuk ka pranuar që t’ia japë dhe në debat e sipër, ka marrë një mjet të fortë, çekiç të madh dhe ka goditur bashkëshorten e tij. Sipas të dhënave nga Mjekësia Ligjore, ai e ka goditur në kokë viktimën duke e shembur në pjesën më të madhe. Për pasojë, Suzana Shemuni ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Pavarësisht zhurmës dhe zënkave që kanë dëgjuar disa fqinjë, ata nuk e kanë njoftuar Policinë.

Autori Bashkim Teli, pas krimit të rëndë, ka dalë nga shtëpia. Ai ka bërë ecje instiktive rrugës dhe më pas sipas burimeve i ka kërkuar kalimtarit të parë që ka hasur që të njoftonte Policinë, duke i rrëfyer atij se kishte vrarë të shoqen. Vetëm pak minuta pas sinjalizimit të dhënë, Policia e Shkodrës mbërriti në vendin e ngjarjes dhe konstatoi se informacioni i marrë kishte qenë i saktë. Në dhomën brenda shtëpisë së çiftit, dergjej pa jetë dhe e mbuluar me gjak gruaja 58-vjeçare.

I shoqi nuk ka bërë tentativë të largohet nga vendi dhe specialistët për hetimin e krimeve të rënda e kanë arrestuar atë me akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare. Pas kryerjes së veprimeve nga grupi hetimor, trupi i viktimës është dërguar me një ambulancë të Spitalit Rajonal të Shkodrës drejt morgut për këqyrje të mëtejshme. Në Polici, autori ka rrëfyer shkakun dhe momentin e ngjarjes.

“Më kërkoi paratë e pensionit. Unë nuk ia dhashë. Ajo këmbënguli, duke më akuzuar se i kam shpenzuar. Nuk pranova t’ia jap dhe as t’i jap asaj shpjegime. Sërish vazhdoi të ngrejë zërin, derisa e qëllova me çekiç në kokë. Ne kemi rreth 3 vite që jetojmë bashkë, ndërsa së fundmi kemi bërë celebrimin, duke qenë zyrtarisht të martuar”, është shprehur para grupit të hetimit autori i ngjarjes.

Sipas fqinjëve, si Suzana, ashtu edhe Bashkimi, kanë pasur martesa të më- parshme, por bashkëshortët iu kanë ndërruar jetë. Madje, ata theksojnë se e ndjera kishte qenë e martuar edhe në Itali, por nuk kanë të dhë- na nëse i shoqi ka vdekur apo ka pasur ndarje mes tyre. Mësohet se 69-vjeçari punonte edhe si tregtar ambulant në një kioskë.

Fqinjët të ndarë për marrëdhënien, “shkonin keq”, “ishin të lumtur”

Fqinjët janë të ndarë sa i përket marrëdhënies së çiftit. Bashkim Teli dhe Suzana Shemuni njiheshin për disa si çift i lumtur dhe për disa të tjerë si me probleme. Drande Shishkja, një komshi prej shumë vitesh, thotë se kishte dëgjuar për konflikte mes tyre. “Çifti është celebruar sepse Suzana ka dashur që t’i marrë shtëpinë Bashkimit.

Ne i njohim shumë mirë. Më vjen keq për çfarë ka ndodhur. Ajo donte shtëpinë me doemos, bënin debat çdo natë për atë punë, sepse kam njerëz aty afër që më tregonin dhe Suzana ia arriti që të celebronte. Pas kësaj, ajo i thoshte se shtëpia është edhe e imja. Bashkimi nuk është njohur për njeri negativ, gruan e tij, që ka vdekur para disa vitesh, e kam pasur shoqe.

Dy vajzat e Bashkimit nuk kanë ardhur asnjëherë sepse kanë pasur turp për martesën e babait”, tregon Drandja. Ndërkohë, fqinja tjetër, Zenepe Dibra, një intelektuale e njohur në qytetin e Shkodrës, e cila është drejtuese e një shoqate për gratë, u shpreh e tronditur.

Sipas saj, marrëdhënia mes çiftit nuk ka qenë problematike. “Unë i kam njohur si një çift i lumtur. Dilnin e shëtisnin së bashku. Madje, unë vetë i kam cilësuar si çifti i lumtur. Nuk kam vënë re asgjë. Suzana më ka treguar sesi ajo kujdesej kur Bashkimi ka qenë i shtruar në spital për një sëmundje që ka pasur. Ne jemi tronditur kur kemi marrë vesh se çfarë ka ndodhur. Si drejtues e shoqatës “Gratë intelektuale shkodrane”, e dënoj fort atë që ka ndodhur”, u shpreh ajo. Edhe fqinji tjetër, Genci Troshani, tregon se i ka njohur si një çift i qetë dhe pa probleme.

/Panorama/