Shkëputja nga BE, britanikët drejt nënshtetësive franceze e gjermane

Ndërsa Britania e Madhe bëhet gati të nisë divorcin nga BE-ja, të shumtë janë britanikët që po zgjedhin të bëhen shtetas francezë, për të ruajtur të drejtat si qytetarë të Bashkimit Europian.

Bota

28/03/2017 22:36

Sipas Ambasadës franceze në Londër, aplikimet e britanikëve që duan të marrin pasaportën franceze pas referendumit për “Brexit”-in janë rritur me 40 për qind. Malanie Goodyear është një prej tyre.

“Unë ndihem europiane. Nuk është një ideal romantik. Jam thjesht europiane”, tha Malanie Goodyear.

Gruaja, e cila është e martuar me një francez, thotë se ishte ndierë gjithmonë krenare për kombësinë e saj, por zhvillimet e muajve të fundit e kishin bërë të ngrinte shumë pikëpyetje.

“Nuk dua të largohem nga Britania. Ju kujtoj se 16 milionë prej nesh votuan për të qëndruar në BE dhe mendoj se duhet të qëndrojmë këtu për ta theksuar këtë”, tha Malanie Goodyear.

Lucy Becquart është një artiste britanike, e cila gjithashtu ka aplikuar për të marrë pasaportën franceze.

“Dua të kem siguri shtesë se do të vazhdoj të gëzoj të njëjtat të drejta me qytetarët e BE-së. Edhe pse mbetem britanike, dua të kem të drejta të barabarta me francezët, nëse zhvendosem atje”, tha Lucy Becquart.

Sipas autoriteteve britanike, edhe numri i qytetarëve që aplikojnë për shtetësinë gjermane është në rritje.