Shkencëtarët: Ky është testi i fundit për zbulimin e kancerit

Një lloj analize e re e gjakut mund të shërbejë si paralajmërim i hershëm për praninë e kancerit.

Lifestyle

11/11/2016 00:14

Shkencëtarët e Universitetit të Swanseas në Uells, të cilët kanë realizuar edhe këtë test, shprehen se kjo do të ndryshojë përgjithmonë se si do të bëhet diagnostikimi i kancerit duke shpëtuar miliona jetë.

Ekipi i Universitetit të Swanseas shprehet se gjithçka do të varet nga një analizë e thjeshtë gjaku, kjo do të zbulojë mutacione në qelizat e kuqe të gjakut para se të shfaqen simptomat e kancerit. Ky test mund të jetë një mënyrë e thjeshtë për të zbuluar kancerin te pacientët.

Kur kanceri zbulohet herët, kjo mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes. Disa analiza të reja të gjakut mund të ndryshojnë mënyrën e diagnostikimit të kancerit, sepse japin të dhëna gjatë fazës së hershme të sëmundjes.

Gareth Jenkins, profesor në Universitetin “Swansea” të Uellsit, i cili ndodhet në krye të këtij kërkimi shprehet se “Me këto analiza ne nuk matim praninë e kancerit, por qelizat e kuqe të gjakut të cilat kanë ndryshuar dhe që janë dëm anësor. Ato ndryshojnë për shkak të zhvillimit të kancerit”.

Analizat bëhen me pajisje standarde laboratorike, që kërkojnë mutacione në miliona qeliza të kuqe të gjakut. Këtyre qelizave u mungon një proteinë e veçantë në sipërfaqe, e cila zakonisht gjendet tek qelizat e shëndetshme.

Hulumtuesit analizuan mostrat e gjakut të rreth 300 njerëzve me kancer në ezofag.

“Jemi marrë vetëm me pacientë që kanë kancer në ezofag. A kanë pacientët me lloje të tjerë kancerësh nivele të larta të këtyre qelizave të kuqe të gjakut gjithashtu? Tani për tani nuk e dimë përgjigjen”, shpjegon Jenkins.

Shpresa është se këto analiza mund të bëhen pjesë e zakonshme e testimit për çdo mjek, së bashku me metodat e tjera.

“Janë një mori testesh, bazuar në analiza të ndryshme të gjakut, urinës dhe lëngjeve të ndryshme trupore. Do të jetë mënyra më e mirë për të mësuar nëse një individ mund të ketë apo mos të ketë kancer”.

Këto teknologji të reja mund të ndihmojnë për të shpëtuar miliona jetë nga kanceri, i cili është shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën.

“Thelbi i testit është kërkimi për qeliza shumë të rralla që kanë pësuar mutacion. Numri i këtyre qelizave te një person i shëndetshëm është rreth 5 apo më shumë në një milion, kështu që duhen parë miliona qeliza për të zbuluar diçka. Numri rritet te pacientët e kancerit – deri në 40 apo 50 qeliza për milion, mesatarisht”,  thotë profesor Jenkins.