Shkencëtarët japonezë krijojnë një qelq shumë të fortë

Me sa duket, një qelq i pathyeshëm për ekrane të celularëve është gati të prodhohet.

Auto & Tek

06/11/2015 17:11

Në fund të muajit tetor, disa shkencëtarë në Japoni njoftuan se ia kanë dalë që me sukses të krijojnë një formë të re të qelqit, të fortë gati sa hekuri – madje më të fortë se Gorilla Glass 4.

Në një studim të publikuar në revistën Nature Scientific Reports, shkencëtarët nga Universiteti i Tokios thanë se përdorën alumin oksid, tantal oksid dhe një proces të ri të prodhimit për të krijuar një qelq transparent me një fortësi të madhe, transmeton lajmi.net.

Një nga shkencëtarët e Universitetit të Tokios tha për faqen japoneze ‘The Asahi Shimbun’ se qelqi oksid ka fortësi dy herë më të madhe se qelqi që përdoret në ekranet e tanishme.

Kjo do të thotë se ekrani i celularëve, në një të ardhme të afërt, do të jetë i pathyeshëm. (lajmi.net)