Shkëmbim dashurie Gorë-Serbi

Aleksandar Vulin ka mbështetur kërkesën e komunitetit goran për të formuar komunën e Gorës dhe për t'ia bashkuar atë Bashkësisë së Komunave Serbe. Ai i ka falënderuar ata për afërsinë që po tregojnë ndaj serbëve.

Lajme

09/11/2013 12:59

Ministri serb pa Portofol i ngarkuar për çështje të Kosovës, Aleksndar Vulin i ka përgëzuar goranët për fitore në Gorë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Goranët të cilët e mbështetën thirrjen e qeverisë serbe më 3 nëntor morën 70 për qind të votave në Gorë, duan ta formojnë komunën e tyre dhe të jenë pjesë e Bashkësisë së Komunave Serbe.

Vulin ka falënderuar ata për kërkesën për ta shndërruar në komunë fshatin e Gorës dhe përfshirjen e saj në Bashkësinë e Komunave Serbe.

Ai ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug se zgjedhjet në Gorë kanë qenë një referendum përmes të cilit ata kanë shprehur vullnetin e tyre që të afrohen me fqinjët e tyre serbë.

“Dëshiroj që t’i falënderoj për qëndrimin e tyre dhe t’i garantoj që Qeveria e Serbisë do të vazhdojë të kujdeset për qytetarët e komunitetit goran, se do të mundohemi që t’ju sigurojmë t drejtat për shkollë në gjuhën që ata dëshirojnë”.

“Nuk ka asnjë arsye që goranët të mos e kenë komunën e tyre”.

“Jam i kënaqur kur e di se fëmijët e komunitetit goran, mësojnë në shkollë me planprogramin e Serbisë”.

Presidenti i Listës së Bashkuar të Goranëve “CDU”, Safet Kushi, ka kërkuar nga përfaqësuesit e BE’së, Prishtinës dhe Beogradit që të mos e neglizhojnë kërkesën e Goranëve në Gorës, pasi që, sipas tij, ata nuk dëshirojnë të jenë pjesë e komunës së Dragashit të cilën e popullojnë shumica shqiptare.