Shkëlzen Maliqi: Ata që janë kundër Demarkacionit me Malin e Zi, s’janë patriotë

Shkëlzen Maliqi, këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar ashpër ata që po kundërshtojnë ratifikimin në Kuvend të demarkacionit me Malin e Zi. Ai i ka quajtur demagogë patriotikë të gjithë ata që përdorin shprehjen “Nuk falim tokë për viza”.

Lajme

23/05/2016 09:21

Maliqi kundërshtimin e një pjese të klasës politike të Kosovës ndaj demarkacionit me Malin e Zi, e ka vlerësuar si injorancë politike, transmeton lajmi.net.

“’ Nuk falim tokë për viza!’ është demagogji patriotike e radhës! Të çosh inat me botën dhe injorosh parimin e përcaktimit të demarkacionit me Malin e Zi mbi vijat kufitare dhe gjendjen administrative dhe kadastrale të Kosovës sipas kushtetutave të fundit të federatës jugosllave të vitit 1974, nuk është as mençuri e as sjellje patriotike”.

“Parimi i sukcesionit të një shteti të shpërbërë është ligj ndërkombëtar që obligon të gjitha shtetet e ish Jugosllavisë dhe do të vlejë edhe në demarkacionin me Serbinë. Nuk ka pikënisje tjetër racionale për çështjen. Është tjetër gjë kur thuhet dhe konstatohet se kufiri i 1974 është i padrejtë ose i gabuar, jonatyror, arbitrar etj. Kjo mund të jetë platformë politike e të ardhmës së shtetit dhe partive, por jo e fiksimit ndërkombëtar të sukcesionit”.

Maliqi tutje ka thënë se kufiri mund të rinegociohet dhe korrigjohet edhe pas ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së arritur në mes të dy shteteve.

“Kjo do të thotë se akti i ratifikimit të demarkacionit të kufijëve adminstrativë të Kosovës të vititi 1974 nuk e përjashton mundësinë që dy shtete sovrane, të rinegociojnë dhe bisedojnë për korrigjimin e kufirit, që në ditën e parë pasi që ai të ratifikohet në kuvendet e dy shteteve. Kjo aq më parë që për këtë ka tregur gatishmëri edhe Mali i Zi, ku edhe nga ana e komunave kufitare të Rozhajes dhe Plavës ka pakënaqësi me demarkacionin”.

Maliqi ka thënë se patriotë janë ata që janë pro ratifikimit të kësaj marrëveshje, dhe jo ata që janë kundër.

“Mësim për “patriotët” : vetëm ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi na bën shtet sovran jo vetëm për liberalizimin e vizave por edhe për korrigjim eventual të kufijve…”, ka shkruar Maliqi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook. /lajmi.net