Shkeljet e para zgjedhore

Nisma për Kosovën, Partia Turke në Prizren dhe PDAK-ja janë subjektet e para të cilat kanë shkelur vendimin e djeshëm të KQZ-së për ndalimin e vendosjes së posterëve. KDI e vlerëson këtë vendim të KQZ-së si të paligjshëm dhe të vonuar.

Lajme

28/05/2014 21:07

KQZ dje ka marrë vendim që në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, partitë politike dhe kandidatët të mos kenë të drejtë të vendosin posterë, dhe nëse bëjnë një gjë të tillë ata do të gjobiten. Ky vendim është marrë si arsyetim për mbrojtjen e ambientit.

Por, ende pa kaluar 24 orë nga ky vendim, partitë kanë nisur t’i thyejnë rregullat. Nisma për Kosovën ka vendosur shumë posterë, kurse shkelje ka bërë edhe Partia Turke në Prizren, si dhe PDAK-ja.

Valmir Ismajli, nga KDI, e vlerëson këtë vendim të KQZ-së si të jashtëligjshëm dhe të vonuar.

“Duke pasur parasysh se projektligji nuk ka kaluar në fazën finale, atëherë vlejnë dispozitat e ligjit të vjetër dhe vendimin të cilin e ka marrë dje KQZ-ja, në radhë të parë është jashtëligjor, sepse në ligjin e vjetër parashihet printimi i posterëve. Përveç kësaj, vendimi është marrë në një kohë prej vetëm 7-8 orë para fillimit zyrtar të fushatës”, ka thënë ai për KTV.

Ndërkaq, Dardan Molliqaj, nga Vetëvendosje, ka thënë se ky vendim i KQZ-së nuk i ka dëmtuar ata si parti pasi që nuk kishin paraparë që të vendosin posterë.

“Ne nuk kemi paraparë posterë për shumë arsye, por kryesorjaështë mungesa e hapësirave të mjaftueshme për vendosjen e posterëve. Por, mendoj se vendimi megjithatë është i padrejtë për subjektet tjera, sepse mund të ketë shumë subjekte të vogla, të cilat mund të kenë planifikuar ose shtypur posterët”.

Këshilli themelues i Nismës për Kosovën ka kërkuar falje publike për posterët e vendosur. Sipas tyre, ato janë vendosur mbrëmë nga disa simpatizantë të cilët nuk ishin të informuar me vendimin e KQZ-së, raporton KTV.