Shkelje të shumta në AKP për tenderin për sigurim fizik të objekteve

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) i ka angazhuar qindra punëtorë me kontratë mbi vepër dhe pa konkurs publik. Këta punëtorë, që AKP-ja i quan ofrues të shërbimeve, do të punojnë në sigurimin fizik të objekteve të ndërmarrjeve shoqërore. E ofrimi i shërbimeve të sigurimit nga AKP-ja përbën shkelje të ligjit shërbimet Private të Sigurisë.

Lajme

01/02/2017 16:18

Punësimi i tyre është bërë pas dështimit të AKP-së për të finalizuar tenderin për sigurimin fizik të objekteve, për shkak të shkeljeve ligjore që ka gjetur Organi Shqyrtues i Prokurimit. Në kohën kur AKP ishte në proces të angazhimit të një kompanie për sigurimin fizik të objekteve, Prokuroria e Shtetit kishte nisur hetime për aneks-kontratat e nënshkruara në vitin 2016 për sigurimin fizik nga AKP-së. Hetimet kishin nisur pas publikimit të hulumtimit të Gazetës “Jeta në Kosovë” për nënshkrimin e tri aneks-kontratave nga AKP-ja me kompaninë ‘Security Code’, pronë e Ukshin Lushtakut dhe Valdrin Tahirit.

Pas shumë shkeljeve nëpër tenderët për angazhimin e kompanisë për sigurimin fizik, AKP-ja ka hequr dorë nga hapja e tenderit të ri. Zyrat e AKP-së do të sigurohen nga Policia e Kosovës, kurse asetet e ndërmarrjeve shoqërore do të ruhen nga ofruesit e shërbimeve- punëtorët e angazhuar pa konkurs.

Policia e Kosovës është kontraktuar nga AKP-ja për ruajtjen e disa objekteve që menaxhohen nga AKP-ja. Në njoftimin për dhënie të kontratës, AKP-ja thotë se kontrata e nënshkruar me Policinë është për dy muaj me një çmim prej 2.50 euro për orë, apo në total prej 29 mijë e 280 euro.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi ka theksuar se kontrata e nënshkruar me Policinë e Kosovë është fillimisht për vetëm 2 muaj.

“Kemi një kontratë me Policinë e Kosovës, sektori dytësor (sekondar) për dy muaj. Në përputhje me frymën e ligjit të AKP-së dhe me qëllim të ruajtjes dhe rritjes së vlerës së aseteve që administrohen nga AKP dhe zvogëlimit të shpenzimeve të AKP-së për ruajtjen e këtyre aseteve, AKP ka marrë vendim që sigurimi fizik i objekteve, gjegjësisht i zyrave qendrore të AKP-së të bëhet nga Policia e Kosovës”, tha zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi.

Në njoftimin për dhënie të kontratës për Policinë e Kosovës, AKP-ja e ka dhënë një shpjegim për strategjinë e re të sigurimit fizik të objekteve.

“Meqenëse ky tender është shpallë dhe rishpall para ardhjes së menaxhmentit të ri në AKP, nga Drejtori Menaxhues që në fillim të mandatit është kërkuar që ndërmarrjet që janë në likuidim dhe në pronësi shoqërore mos të ruhen nga kompani private, por me ofrues të shërbimeve nëpër ato ndërmarrje duke reduktuar në maksimum shpenzimet për ketë shërbim”, thuhet në shpjegimin e AKP-së.

Kontrata me Policinë e Kosovës është bërë bazuar në memorandumin që Policia ka me institucionet tjera për sigurimin e objekteve qeveritare. Policia do t’i sigurojë vetëm objektet ku janë të vendosur stafi i AKP-së, përkatësisht Zyrat Regjionale në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Prizren.

Gazeta JnK ka gjetur se kontrata e AKP-së me Policinë e Kosovës është ripërtërirë në muajin janar. AKP-ja në publikimin e njoftimit për dhënie të kontratës thotë se kontrata do të jetë për një periudhë prej 3 muajve, ndërsa në total do t’i kushtojë AKP-së 45 mijë euro.

Angazhimi i ‘ofruesve të shërbimeve’

Bazuar në njoftimin e AKP-së del se të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe asetet e tyre do të sigurohen nga ofruesit e shërbimeve publike.

AKP ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë për numrin e punëtorëve të angazhuar pa konkurs publike. Mirëpo, pas një hulumtimi disajavor të Gazetës JnK, rezulton se AKP-ja ka angazhuar mbi 100 punëtorë për sigurimin fizik të objekteve të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat janë në kompetencë të AKP-së.

Kompani ‘Security Code’, që deri vonë e ka bërë sigurimin fizik të objekteve të AKP-së, thotë se kishte numër të ndryshëm të punëtorëve në AKP, pasi ndryshohej në varësi të numrit të aseteve dhe objekteve që duhet të siguroheshin. Thotë se në fund të vitit 2015, në AKP kishte të angazhuar 250 punëtorë, pastaj kishte të punësuar rreth 174 punëtorë. Ndërsa në muajin mars kishte 158 punëtorë. E kur i kishte përfunduar kontrata, në muajin nëntor 2016, ‘Security Code’ kishte vetëm 42 punëtorë të angazhuar me kontratë në AKP.

Në përgjigjet nga kjo kompani është dhënë shpjegimi për këtë ulje të numrit të punëtorëve. Thonë se në vazhdimësi kanë pranuar shkresa nga AKP-ja për largimin e ndonjë punëtori nëpër pika të ndryshme për t’i zëvendësuar më pas me ofrues të shërbimeve.

“Në shumicën e rasteve ka vazhduar sigurimi fizik i objekteve si dhe punëtorët kanë vazhduar punën nën menaxhimin e AKP-së duke kryer shërbime të sigurimit fizik. Shembull, Tregu i Gjelbër prej datës 06.09.2015, 44 punëtorë (që kanë qenë me kontratë me ‘Security Code’) kanë vazhduar punën nën menaxhimin e AKP-së dhe ende vazhdojnë të punojnë si roje aty”, thuhet në përgjigjet e kompanisë ‘Security Code’.

Gazeta JnK i ka siguruar disa nga shkresat të cilat janë dërguar tek kompania ‘Security Code’ nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

“Në emër të mbrojtjes së pronës dhe pajisjeve, pronë e NSH-së, është parë e arsyeshme që në këtë Njësi të jetë angazhuar sigurimi fizik ‘Security Code’. Sipas kërkesës së Menaxhmentit kërkohet largimi i sigurimit nga ana e kompanisë së sigurimit ‘Security Code’ dhe zëvendësimi i tyre me OSH (Ofrues të Shërbimeve)”, thuhet në arsyetimin që AKP-ja i ka dhënë kompanisë me rastin e tërheqjes së rojeve të sigurimit në një nga ndërmarrjet shoqërore.

Në një tjetër shkresë të AKP-së janë dhënë më shumë detaje për arsyen e ndërrimit të punëtorëve.

“Shpenzimet për pagesën e pagave të OSH-ve janë 990 euro nga ai me kompaninë ‘Security Code’ që është 1 mijë e 540 euro. Pagesa për shërbime do të jetë 330 euro për muaj për një OSH (për të mbuluar orarin 24 duhet tre OSH), orari i punës do të jetë çdo ditë të javës dhe atë 24 orë në ditë/me ndërrime”, thuhet në shkresën që AKP-ja ia ka dërguar kompanisë në fillim të muajin nëntor 2016.

Mirëpo, Gazeta JnK merr vesh që tashmë AKP-ja ka punësuar më pak punëtorë se që kishte angazhuar kompania ‘Security Code’. Madje disa nga pikat edhe mund të jenë privatizuar në një valë të privatizimit gjë që mund të rezultojë me numër më të vogël të personave të angazhuar pa konkurs publik.

Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se kanë marrë vendim që më të mos kontraktojnë kompani për sigurim fizik të objekteve dhe aseteve.

“AKP e ka marrë këtë vendim që sigurimi i aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore të bëhet nga Ofruesit e Shërbimeve të Ndërmarrjeve Shoqërore, ndërsa sigurimi fizik i objekteve, gjegjësisht i zyrave qendrore të AKP-së të bëhet nga Policia e Kosovës, në përputhje me ligjin e AKP-së dhe me qëllim të ruajtjes dhe rritjes së vlerës së aseteve që administrohen nga AKP dhe zvogëlimit të shpenzimeve të AKP-së për ruajtjen e këtyre aseteve”, theksoi zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi.

Ata nuk janë përgjigjur në pyetje direkt se si është bërë angazhimi i këtyre punëtorëve, por kanë treguar se kush është duke punuar tashmë.

“Kryesisht angazhohen ish-punëtorë të Ndërmarrjeve Shoqërore respektive duke pasur parasysh edhe statusin social të tyre”, tha zëdhënësi i AKP-së. “Ofruesit e Shërbimeve janë ish punëtorë të ndërmarrjeve Shoqërore respektive dhe në raste të caktuar edhe ish punëtorët të sigurimit.”

Kaloshi thotë se numri i punëtorëve ndryshon në vartësi të nevojës për sigurimin e aseteve.

Shkeljet e ligjit

Ministria e Punëve të Brendshme thotë se AKP-ja është duke e shkelur ligjin për Shërbimet Private të Sigurisë.

“Shërbimet e sigurimit ofrohen vetëm nga kompanitë private të sigurimit, të licencuara dhe të autorizuara, përmes punëtorëve të licencuar të sigurimit në pajtim me Ligjin Nr.04/L-004 për Shërbimet Private të Sigurisë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për Informim të MPB-së dërguar Gazetës Jeta në Kosovë.

Neni 3 i ligji për shërbimet Private të Sigurisë është i ndarë në dy pjesë duke ofruar dy kufizime për ofrimin e sigurimit fizik.

“Shërbimet e sigurimit ofrohen vetëm nga kompanitë private të sigurimit, të licencuara dhe të autorizuara në pajtim me këtë ligj”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 3 të këtij ligji.

Në pjesën e dytë, thuhet se personat që kryejnë shërbim të sigurimit duhet të jenë të licencuar.

Shërbimet e sigurimit ushtrohen vetëm përmes punëtorëve të licencuar të sigurimit në pajtim me këtë ligj”, thuhet në paragrafin e dytë, ndërkohë që në ligj janë paraparë procedurat e licencimit të punëtorëve.

Kompania ‘Security Code’ kishte dorëzuar një ankesë në Ministri të Punëve të Brendshme pas angazhimit të ofruesve të shërbimeve nga AKP-ja. Ata e kanë njoftuar MPB-në me licencat që kompanitë e sigurimit obligohen t’i marrin dhe pagesat që i bëjnë, ndërkohë që institucionet shtetërore marrin përgjegjësi për të siguruar fizikisht objektet e tyre. Ky veprim, sipas kësaj kompanie, është në kundërshtim me ligjin.

‘Security Code’ në një përgjigje dhënë Gazetës JnK thotë se ende nuk kanë pranuar asnjë përgjigje nga MPB-ja as pas gati tre muajve që kur e kanë dërguar ankesën.

MPB-ja e konfirmon pranimin e ankesës.

“Jemi  të  njoftuar se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka qenë në procedurat e tenderimit për marrjen e shërbimit themelor të sigurimit nga kompanitë private të sigurimit, por këto procedura nuk janë përfunduar ende dhe AKP është detyruar që të kërkojë asistence nga MPB/Policia e Kosovës për të siguruar asetet e tyre”, thuhet në përgjigjet e MPB-së.

Kjo ministri ka thënë se masat eventuale ndaj AKP-së do të merren vetëm pasi të finalizohet raporti për rastin e AKP-së. Por raporti do të bëhet pasi të dalin në terën zyrtarët e kësaj ministrie, gjë që nuk e kanë bërë edhe pas rreth tre muajve qëkur kanë pranuar ankesën.

“Divizioni për Shërbimet Private të Sigurisë në kuadër të Departamentit për Siguri Publike i MPB-së, do të mbajë takime me AKP-në, si  dhe do të kryeje inspektime për të konstatuar gjendjen në institucionin në fjalë dhe pastaj varet nga raporti i gjetjeve se cilat masa do të ndërmerren sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e ministrisë e cila drejtohet nga Skender Hyseni.

Telenovela e tenderit të sigurimit në OSHP

AKP-ja kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare me “Security Code”, që përfundonte më 1 shtator të vitit 2016. Vlera e kësaj kontrate ishte 1 milion e 872 mijë euro. Por, AKP-ja e kishte iniciuar një tender të ri në muajin nëntor të vitit 2015, apo gati një vit para se t’i përfundojë kontrata, me arsyetimin se mjetet e parapara në kontratë ishin shpenzuar. Tenderi ishte zvarritur disa herë, ndërkohë që AKP-ja ka nënshkruar tri aneks-kontrata me kompaninë ‘Security Code’, pronë e Ukshin Lushtakut, vëllait të kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. Aneks-kontratat me vlerë prej rreth 700 mijë euro janë nënshkruar pa tenderë publikë, duke u thirrur në kontratën e vitit 2014, të cilën kompania e sigurimit fizik e ka me AKP-në. “Gazeta Jeta në Kosovë“ zbulon se aneks-kontrata e parë është nënshkruar në muajin shkurt, njëra në muajin maj dhe e fundit në javën e parë të muajit shtator.

Organi Shqyrtues i Prokurimit, që njihet si “Gjykata e Tenderëve” ka marrë dy vendime për tenderin e iniciuar nga AKP-ja për sigurimin fizik të objekteve. Ajo ka konstatuar se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka bërë shkelje ligjore në procesin e prokurimit kur e ka rekomanduar për kontratë dyvjeçare kompaninë “Delta Security”. Ajo kishte ofertuar me 1 milionë e 905 mijë euro. Kundër këtij njoftimi ishin ankuar në OSHP dy kompani: “Security Code” dhe “Besa Security”. Sipas OSHP-së, pretendimet ankimore të “Security Code” janë të bazuara pasi që AKP në kundërshtim me aneksin 1 të specifikacioneve teknike ka rekomanduar për dhënie të kontratës operatorit ekonomik i cili ka ofruar listën jo të plotë për përcaktim të menaxherëve sipas përgjegjësive në total për shtatë regjione.

Pas vendimit të OSHP-së, AKP-ja kishte publikuar një njoftim për anulimin e tenderit. Gazeta JnK kishte kërkuar sqarime nga AKP-ja për anulimin e publikuar në ueb-faqen e KRPP-së, por i njëjti ishte ndryshuar më vonë.

“Tenderi për shërbimet e sigurimit fizik te hapësirave te AKP-se është ende ne proces te prokurimit. Procedura është ende brenda afatit për dërgimin e ankesave sipas njoftimit për dhënie të kontratës të shpallur më 20 tetor 2016. Ka pasë një lëshim teknik sa i përket këtij tenderi në KRPP i cili lëshim është përmirësuar më 02/11/2016”, thuhet në përgjigjen e Veton Hajdinit, zyrtar për media në AKP.

Me vonë, AKP-ja ka publikuar një vendim të ri përmes të cilit është rekomanduar për kontratë kompania “Security Code”. Sërish Gjykata e Tenderëve ka gjetur shkelje ligjore në vendimin e AKP-së për ta shpërblyer me tender kompaninë Security Code.

“Anulohet vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për dhënie të kontratës, lidhur me procedurën e prokurimit me titull- “Shërbimet e sigurimit fizik për hapësira të e AKP-së dhe ndërmarrje shoqërore nën administrimin e AKP-së, si i pa bazuar dhe lënda kthehet në Ritender, nëse edhe më tutje AK-ja ka interes”, thuhet në vendimin e OSHP-së.