Shkelja e sovranitetit

Ministrat serbë kanë injoruar ndalesën e institucioneve kosovare për të hyrë në Kosovë. Ata kanë hyrë ilegalisht, nga Veriu. LDK dhe AAK e konsiderojnë këtë si shkeleje të rëndë të sovranitetit të vendit dhe si një manipulim të Qeverisë së Kosovës.

Lajme

18/10/2013 07:31

Aleksandar Vulin, Ministër pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, injoroi ndalesat që kishte vënë Qeveria e Kosovës për hyrjen e tij në Kosovë. Ai u fut ilegalisht, përmes Veriut, në Kosovë.

Vulin qëndroi të enjten në Zubin Potok, pranë liqenit të Gazivodës bashkë me Ministren serbe për Energjetikën, Zorana Mihajlovic, prej nga përcolli mesazhe mosnjohje për “institucionet e përkohshme” të Kosovës, siç i quajti ai.

Opozita në Prishtinë reagoi me tone të ashpra ndaj kësaj vizite.

Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që ka kërkuar prerazi që asnjë zyrtar i Qeverisë së Serbisë të mos lejohet të hyjë në Kosovë.

Dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, hyrjen ilegale të Vulinit në Kosovë po e konsiderojnë si shkelje të rëndë të sovranitetit të vendit. Sipas tyre, kjo vizitë tregon se institucionet e Kosovës nuk pyetën për sigurinë e territorit të Kosovës.

Deputeti i AAK’së, Burim Ramadani, thotë për lajmi.net se ndalesat për Vulin janë thjesht një manipulim i Qeverisë së Kosovës.

“Këtu kemi një rast të qartë të manipulimit të Qeverisë së Kosovës. Përndryshe, nëse vërtet do të ndaloheshin vizitat e zyrtarëve serbë, ata nuk do të ishin në Kosovë,  sepse nuk mund të hyjnë nga ajri”.

“Ky ka qenë një marketing politik i disa ministrave, kryesisht i Hajredin Kuçit dhe Enver Hoxhajt, të cilët kanë tentuar të bëjnë fushatë duke thënë se ne do t’i ndalim zyrtarët serbë. Mirëpo, e vërteta doli se ata jo që nuk i ndalen, por ata po hynë pa leje fare”.

“Ky është një mashtrim i pastër i pushtetit për fushatë. Kanë dashur t’i mbledhin disa vota për të mashtruar opinionin”.

Deputeti i LDK’së, Arben Gashi, thotë për lajmi.net se shkuarja e Kryeministrit Hashim Thaçi në Bruksel për të diskutuar për çështjen e vizitave ishte një gabim i madh.

“Kjo është një shkelje e pavarësisë se Kosovës dhe gabim madhor që Kryeministri i Kosovës e bëri gjatë bisedimeve në Bruksel”.

“Është shumë keq kur shërbimi i inteligjencës dhe Policia e Kosovës nuk janë të informuar, ndërsa një gjë e tillë publikohet në mediat serbe”.

Dy ministrat serbë Vulin dhe Mihajlovic, përveç pjesës veriore të Kosovës, qëndruan edhe në Graçanicë dhe Prekovc ku zhvilluan takime me Kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Pikërisht pjesëmarrja e mëhershme e Vulinit në një tubim elektoral të Listës Serbe ishte arsyeja që shtyu Qeverinë e Kosovës ta refuzojë hyrjen e tij në Kosovë.