Shkelësit e Kushtetutës

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar tetë vjet më parë, nuk po zbatohet nga shumica e serbëve të vendit, ndërsa po vazhdon të shkelet nga institucionet vendore. Marrëveshja për Asociacionin konsiderohet nga opozita dhe analistë si shkelja më e madhe që i është bërë aktit më të lartë juridik në këto tetë vjet shtet, ndërkaq mosshtrirja në veri arsyetohet me “kapacitetet e limituara”

Lajme

17/04/2016 08:00

E miratuar tetë vjet më parë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës përveçqë nuk po zbatohet nga rreth 20 për qind e territorit të vendit ajo po vazhdon të shkelet nga  personat fizikë e juridikë, nga institucionet dhe vendimmarrësit.

Mosrespektimi i aktit më të lartë juridik bëhet në veriun e Kosovës nga komuniteti serb nën sponsorimin e Beogradit, ndërsa shkelja më e madhe bëhet nga përfaqësuesit e shtetit kosovarë.

Sipas ekspertëve kushtetues dhe opozitarëve, shkelja më e madhe është bërë me Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, e cila në substancë ka shkelur 23 nene kushtetuese. Ndërsa edhe zyrtarët qeveritarë pranojnë se Kushtetuta nuk respektohet nga serbët e veriut, por thonë se kjo po ndodh sepse nuk ka mekanizma që shtrijnë autoritetin kushtetues atje.

Në komunat me shumicë serbe simbolet kombëtare janë të shtetit serb, organet qeverisëse zgjidhen nga Qeveria e Serbisë, asnjë simbol i shtetit të Kosovës nuk figuron në komunat me shumicë serbe, nxënësit në këto enklava vazhdojnë të mësojnë me planprogram të Serbisë, madje për këta nxënës edhe pushimi dimëror dhe ai veror respektohet sipas kalendarit arsimor në Serbi dhe jo sipas kalendarit të Ministrisë së Arsimit të Kosovës.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për “Zërin” se Kushtetuta e Kosovës ashtu sikurse edhe ligjet e Kosovës prej tetë vjetësh janë shkelur dhe po vazhdojnë të cenohen në mënyrë permanente./Zëri