Shkatërrohet mauzoleu i Sadamit

Mauzoleu ku ndodhej varri i ish diktatorit irakian, Sadam Hysein, në vendlindjen e tij në Tikrit, është shkatërruar tërësisht gjatë luftimeve që po zhvillohen midis militantëve të “Shtetit Islamik” dhe forcave policore dhe ushtarake të Irakut.

Bota

16/03/2015 09:38

Videoja e filmuar nga “Associated Press” tregon se ajo që ka mbetur në këmbë nga mauzoleu që ndodhej në fshatin Al Avja afër Tikritit, janë vetëm disa shtylla, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Mauzoleu i ish diktatorit irakian kthehet në gërmadhë
Mauzoleu i ish diktatorit irakian kthehet në gërmadhë

 

Forcat irakiane, të ndihmuara nga ato iraniane, të mbështetur edhe nga milicia shiite po luftojnë për të përzënë militantët sunitë të “Shtetit Islamik”, të cilët vitin e kaluar, pas ofensivave që ndërmorën në disa rajone të Irakut dhe Sirisë, dhe ekzekutimit të mijëra civilëve, vunë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të këtyre dyja vendeve.

Vitin e kaluar, popullsia sunite lokale ku ndodhej mauzoleu, njoftuan se e kishin hequr trupin e Sadamit prej aty, dhe se e kishin dërguar në një vend të panjohur. Rrënimi i mauzoleut ndodhi të dielën pasdite, gjatë luftimeve të intensifikuara në veri dhe në jug të Tikritit, pasi forcat irakiane të sigurimit u zotua për të arritur në qendrën e qytetit brenda 48 orëve të ardhshme.

Mauzoleu i ish diktatorit irakian para shkatërrimit
Mauzoleu i ish diktatorit irakian para shkatërrimit

 

“Tikriti është një nga vendet ku marshuan më së shumti militantët sunitë të ‘Shtetit Islamik’, pasi këtu është edhe varri i Sadamit”, ka thënë kapiteni Yasser Nu’ma, një zyrtar i milicisë irakiane.

Sadami, që po ashtu ishte sunitë, u kap nga forcat amerikane në vitin 2003, në vitin 2006 u dënua me vdekje nga një gjykatë irakiane për krime kundër njerëzimit, vrasjen e myslimanëve shiitë dhe kurdëve. Ekzekutimi i Sadamit, me varje, u krye më 30 dhjetor 2006, ndërsa trupi i tij ishte mbajtur në mauzoleun që nga 2007. /lajmi.net/

YouTube player