Shkatërrohet banda që trafikonte kokainë nga Shqipëria në Athinë

Një organizatë kriminale e trafikimit të drogës e përbërë nga shqiptarë dhe grekë është shkatërruar nga policia greke. Sipas hetimeve të policisë, organizata kriminale funksiononte që prej muajit Prill të vitit 2014 dhe përbëhet nga 12 anëtarë.

Lajme

21/02/2016 19:36

Mes tyre, 5 janë shqiptarë(tre burra dhe dy gra) të moshës nga 24 vjeç deri në 51 vjeç. Kurse pjesa tjetër janë grekë, 6 burra dhe një grua të moshës nga 42 vjeç në 60 vjeç. Banda kriminale trafikonte kokainë dhe marijuanë nga Shqipëria në Athinë.

Si funksiononte organizata e drogës

Banda drejtohej nga një grek 48-vjeçar. Bashkë me të, ishin edhe dy drejtues të tjerë, një shqiptar 32 vjeç dhe një person tjetër i panjohur deri tani, i cili kishte rolin e furnizuesit. Po këtë rol, kishin edhe tre persona të tjerë, dy greke 56 vjeç dhe 60 vjeç, si dhe një shqiptar 33 vjeç. Transportuesit e drogës ishin dy shqiptarë, 24-vjeçar dhe 27-vjeçar. Anëtarët e tjerë të organizatës merreshin me shitjen e drogës. Të gjithë anëtarët e bandës kriminale flisnin me kode me njëri-tjetrin.

Provat materiale

Gjatë operacionit antidrogë, policia greke sekuestroi më shumë se 4.5 kg kanabis të papërpunuar dhe 100 gram kokainë, vlera e të cilave shkon në 45 mijë Euro nëse shitet me doza. Gjatë kontrolleve nëpër shtëpi dhe makinat e anëtarëve të bandës, u sekuestruan edhe 538 gram hashash të papërpunuar, 5.2 gr kokainë, fara hashashi, peshore, celularë, karta SIM, laptopë, dylbi, 3500 Euro dhe dy makina.